venerdì 19 ottobre 2012

Pulëbardha e Jonit



             Pulëbardha e Jonit
                                  Poeti Spiro Llajo në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”.



Nga Timo Mërkuri


1- E pata mik në rininë time. Ai erdhi nga Janicati i  Theollogos, i ri dhe i bukur. I pafajshëm si një pulëbardhë. Atë kohë, djalë  17 vjeçar, ndonëse  puntor në ish Ndërmarjen e Ndërtimit Sarandë, për mua, të gjithë ata që mereshin me art e letërsi ishin njerëzit më të mirë të qytetit dhe domosdo ishin dhe miqtë e mi. Kështu u miqësova  dhe me Spiro Llajon e porsaardhur në Sarandë. Bisedat  e vrullëshme si mosha, debatet  plot passion si ëndrat, ndarjet mbrëmjeve von, pas “grindjeve” letrare, për të rripritur mbasditen  e nesërme, kur natyrisht do vazhdonim “debatin”, nuk na lanë të shikonim retë e “luftës kundër burokratizmit” që po afroheshin, për të lëshuar rrebeshin e tyre mbi këtë djalë të ri. Se ç’lidhje kishte  “lufta kundër burokratizmit” me këtë djalë të porsaardhur nga fshati  dhe të punësuar në një punë modeste në qytetin tim, asnjë nga ne, shokët e tij nuk e morëm vesh ndonjëherë. Por tejë  parullave antiburokratike, qëndronte fakti i thjeshtë se, ky djalë i ri dhe plot talent guxoi të kapërcente “klonin” që rrethonte fshatrat tona, me telin me gjëmba të mospashaportizimit të fshatarëve në qytet. Ky qe mëkati i tij dhe për këtë  i kërkohej haraçi.

Ne ishim të rinj për ta kuptuar këtë, sepse, si gjimnazistë që ishim, jetën e shikonim nga dritarja e ëndrave rinore. Dhe nuk na shkonte kurrë ndër mënd që, dhe ëngjëjt e ëndrave tona,  dikush, i ulur në fronin e Zeuzit, i kontrollonte.

Miqtë dhe shokët, intelektualë të qytetit tim, ndërhynë për ta shpëtuar  talentin e këtij djali të ri dhe pas shumë  peripecive, pushteti pranoi  që të mos e rikthente në Janicat, por ta dërgonte “në prodhim”, në  ndërtimin e brezareve në Ksamil. Fitorja qe e të dy palëve:-pushteti “shpëtoi” nderin, fytyrën e tij, sepse e dërgoi “në prodhim”, të edukohej në punë krahu ( në thelb, e largoi nga qyteti këtë fshatar), por Spiro Llajo fitoi më shumë, fitoi Ksamilin dhe detin Jon, pulëbardhë e të cilit u bë shumë shpejt.

Pastaj…jeta na ndau. Unë në kooperativat e veriut, ai  “eci” në jetë, nga  puntor i brezareve të ullinjve e portokalleve në kamarier në Hotel Turizmin e Ksamilit. Botoi vëllimet poetike “Një grusht det”,”Motiv Jugor” dhe …pas viteve ’90 emigroi në Greqi.

Më thanë se vdiq në 2007.

2-Më thanë se vdiq….dhe mua në ndërgjegje më mbeti  trishtimi i mostakimit vite e vite me radhë. Gjer sot, që nga përmbledhja poetike dygjuhëshe, e botuar nga  miku ynë Andrea Zarballa, një tufë poezish brofën para meje si një tufë pulëbardhash, duke shkundur nga krahët  kaltërsinë  e  kujtimeve  rinore…

3-Ne shpesh herë kemi biseduar për detin Jon, me aqë passion dhe dashuri, thua se na përkiste vetëm ne (poetëve,sigurisht). Ndaj unë e kuptoj Spiron kur shkruan  në poezinë “Mora një grusht det”…Mora një grusht det të shkumbëzuar/…/dhe e ndjeva një çast brenda gjoksit tim.  Kështu e ndjejnë detin edhe pulëbardhat, brenda vetes.
Dhe është kjo ndjenjë e madhe dashurie që  e trasformon botën e tij  në një botë detare te poezia “Peshkatarët”…Kam brenda vetes kaqë këngë për peshkatarët/sa shpirti mu zgjerua si det/…Ulen pulëbardhat nëpër rima/si nëpër direkë…

Ardhur nga Janicati, u bë pjesë e detit…Aqë shumë më ka pëlqyer kjo era jote,det/sa mu bë pjesë e jetës…Aqë shumë më pëlqen ky flladi yt o det/sa I dhashë mbiemrin tim.

Dhe unë do të shtoja te poezia e mësipërme “Erioni”, si poshtëshënim, vargun e imituar…Aqë shumë i pate pëlqyer o deti Jon/sa u bë pulëbardha jote.

Se vërtet Spiro Llajua fluturon para nesh me krahë vargjesh, si një pulëbardhë. Herë ngrihet e ulet e herë  ri përmbi valë. Por dhe kur ikën larg, nuk haron që është pulëbardhë  e detit Jon.
Nga erdhën pulëbardhat këtu/mes fushës së pluguar/sot për detin malli më ka marë/ shkruan te poezia “Në fushë”.

Dhe kur është në vendlindje këndon (theksoj “këndon”, se vërtet këndon) si pulëbardhë mbi valët e Jonit…Po zgjohem shpejt dhe dal te pragu/dhe shoh gjithçka të mrekulluar/Dhe vajzat u bënë nuse/dhe rrugët u zgjeruan (ah si ta ngushtojnë shpirtin këto rrugë të ..zgjeruara, ku s’kalojnë më vajzat)…Ja dhe hëna më buzëqesh/Mike moj, që ske ndryshuar. (Sa keq që skemi një kitarë, ta këndojmë këtë këngë, të titulluar “Në vendlindje 1986” mbrëmjeve, këtu, në bregdet.Vërtet, më vjen keq  që s’mund ta këndoj tani këtë këngë, për miken që kurrë nuk ndryshon).

Sepse çastet janë magjike, kur…Dhe hesht si ylber/dhe qan si vesë/dhe flet si këngë/dhe qesh si hëna/ dhe është e imja.”Çast”

Dhe çaste të tilla magjike, janë thjeshtë …çaste …Joniane.

4-Nuk e di, por ndjeva  mornica në trup, kur lexova poezinë”Të kesh një motër”. Motiv i trishtë, sa që s’do ta lexosh poezinë. Por gjithsesi nuk e kapërcen dot faqen, indifferent jo e jo, por as me ndërgjegje, për  të mos u trishtuar. Dhe sidomos pasi ke lexuar poezinë “Kur u martua motra” me vargjet njerëzore…Sot koha është e mirë,por motra qan/…Babi për një çast i vetëm në dhomë rri/Nëna me motrën diçka thonë/Unë nis të këndoj me shokët e mi/veç fjalët si them dot.

Por nëse në këtë poezi,pas një trishtimi  në dukje të vetmisë së babait është gëzimi i një jete të re që rinis,  poezia “Të kesh një motër” është një det trishtimi që mba  mbi valë  vargjet si varka.
A thua kjo poezi, ishte parandjenja e një ikjeje të shpejtë, si një pulëbardhë e goditur në fluturim?
Të keshë një motër/që të të thotë “vëllai im”/ Të keshë një motër që ti japësh këmishën tënde/dhe ajo të ta kthejë në një re të bardhë/.. Të keshë një motër si një burim të kaltër/që të shohësh vetën brënda saj/…
Të kesh një motër.të kesh një motër/të vijë një ditë në varr të të qaj.

Dhe unë s’mund ta komentoj këtë poezi, por mund të shkruar anash saj:

-Të keshë një shok, të keshë një mik, që të të vijë në vargje si një pulëbardhë.

Siç më erdhi sot pas kaqë vitesh, miku im  i rinisë, poeti Spiro Llajo.


19.10.2012

Nessun commento:

Posta un commento