Sunday 14 October 2012

Ku hardhia pikon vesë



Ku hardhia
pikon vesë


Këngë, vaje e bejte piluriote,
mbledhur e redaktuar nga
TIMO MËRKURI

Rekuiem për tim atë

 Im atë, nuk ishte poet.
Nuk ishte as poet dhe as rapsod dhe ajo që është më kryesorja, as ai vetë nuk ka pretenduar ndonjëherë,por as edhe unë nuk pretendoj ta prezantoj si të tillë.
Ne, fëmijët e tij, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të deklamojë vargje.
Jo vetëm kaq, por unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë edhe të këndojë.Dhe kur them këtë, nuk kam parasysh  rolin e shumënderuar të marrësit,  por edhe  rolin shumë ‘’popullor’’   të mbajtësit të isos.
Gjithmonë e kam parë  tim atë  larg këngës e zhurmës së saj të hareshme.
Serioz dhe me një tis të lehtë ironie në të folur.
Stoik përballë furrtunave të shumta që jeta përplasi mbi të, duke merituar si rrallëkush që në gjallje këngën-vaj, që  e portretizonte me tre rreshta;
-O more Manol Mërkuri/Ç’do e keqe ty të zuri/Po dot kokën nuk ta uli.
Por  gjithsesi, asgjë nuk e afronte portretin e tij me këngëtarin, dhe ca më pak  me poetin apo rapsodin.
Dhe ja, pas vdekjes së tij, duke rilexuar edhe njëherë  dy fletore me shënime, mbajtur prej tij, kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës,befasia që më  kaploi qe e dyanëshme.
E para qe, se ato kujtime qenë, çuditërisht për mua, të shkruara në vargje, dhe e dyta ishte se mua m’u dukën tepër të njohura.
Dhe vërtet, shumica e tyre ishin vajtime, të cilat i kisha dëgjuar të ligjëruara nga im atë në shtëpi,kur isha fëmijë ose edhe në vareza, ku unë shpesh e shoqëroja  në vizitat që ai bënte te varri i nënës, vëllait dhe gjyshes sime.Ai nuk pranonte ta shoqëronte njeri në vareza,nuk donte që dikush ta dëgjonte duke vajtuar,nuk donte të prezantonte këtë ‘’anë të dobët’’ të tij,ndaj shpesh unë e shoqëroja larg e larg.Por nëse në vdekjen e nënës sime  në vitin 1967 dhe të gjyshes në vitin 1970 e ‘’mbajti veten si burrë’’, pas prillit të vitit 1978, që solli vdekjen e vëllait në ushtri, mbi burrin stoik triumfoi prindi dhe dhimbja, qe kalvari dhe preludi i jetës së tij.
Çdo të diel, kur dilte nga shtëpia,mund të nisej për kudo, por hapi e shpinte vetvetiu në varreza. Dhe aty, duke haruar ç’do gjë, pa turp e pa ndrojë vajtonte mbi varrin e të birit. Dhe jo në heshtje a me pëshpërimë, po me ligjërime që dëgjoheshin së largu. Shumë herë kam parë  marinarët e bazës detare,që pasi kishin lënë lojën a stërvitjen, në shënjë respekti për dhimbjen e tij,mbështetur pas  gardhit  rrethues të bazës, dëgjonin  kokëulur vajtimin e tim eti.
Ata ushtarë, nga vajtimet e tim eti e kishin mësuar historinë e vdekjes së  vëllait tim, i kishin mësuar emrat e shkaktarëve të kësaj vdekjeje, dinin dhe adresat e tyre në Delvinë e në Krujë, dinin vendin e plagës apo llojin e armës, që u shkrep, orën e vendin e vdekjes…
Dhe tani, ndërsa nisa t’i rilexoj këto vajtime të hedhura në letër, koha nisi të ecë mbrapsht dhe unë u rindodha në ato çaste, kur buronte dhimbja.
Por këtë herë, një dhimbje e kristaltë.
Më besoni, ju lutem,se pas leximit të vajtimeve të tim eti, portreti i nënës, në kujtesën time, u bë më i bukur se sa ishte dhe humnera e humbjes  u shfaq më e pamatë. Gjyshja iku duke marrë me vete gjithë përrallat e botës, ndërsa vdekja e vëllait qe realisht fundi i jetës së tim eti.
Por gjithsesi, një mendim më shkrepi në kokë befasisht;
- Im atë nuk qe poet As rapsod dhe as këngëtar. Atëherë si spjegohet krijimi  prej tij i këtyre ligjërimeve, perla poetike?
Nuk di pse  mu rikujtua ideja  që kam hedhur mbi origjinën e këngës nga vajtimi.
Por unë nuk mund të merrem tani me këtë temë.
Nuk i  botoj këto vajtime për efekt studimi prej meje.
Unë po botoj disa nga vajtimet e tim eti, në rradhë të parë,si një detyrim dhe respekt për kujtimin e tij. Pa ç’ka se ato shfaqin një anë të dobësisë njerëzore.Zbulimi i kësaj ‘’dobësie’’, brenda kontureve stoike të portretit të tij,ma bën më të afërt, më të dashur e më njerëzor vetë  kujtimin e  babait tim.Është si të zbulosh një thesar të fshehur brenda një mali plot shkëmbinj e gërxhe.
Unë  duhet të shtoj edhe faktin se këto vajtime të shumta, disa prej të cilave po i botoj në këtë libër, nuk janë  hedhur në letër nga im atë me qëllim botimi.Ato janë ligjëruar mbi varre, apo në shtëpi,janë logatur në vetminë  e dhimbjes mote e mote të shkuara.
Dhe më pas, thjeshtë janë gdhëndur në ‘’katërshore’’ me qëllim që  harresa e moshës së tretë të mos i mbulonte me pluhurin e saj.
Mandje as që m’i dha mua t’i përdorja. Unë thjeshtë i gjeta  në sirtarët e tij, qysh në  vitin 2005, vit në të cilën edhe i botova  disa krijime në një nga përmbledhjet e mia me këngë, vaje e bejte pilurjote.
Studiuesit e iso-polifonisë le të shohin vetë  teknikën e funksionimit të  laboratorit krijues të këngës popullore. Unë  i ndihmoj me faktin se im atë ,ndërmjet vajtimeve edhe  shkroi disa vjersha të pakta, disa prej të cilave po i botoj te ky libër.
Por unë s’mund të merrem me analizën e tyre.
Sepse krijuesi i këtyre vargjeve nuk qe ndonjë poet, apo rapsod,krijimet e të cilit  t’i studioj me gjakftohtësi.
Ai ishte im atë.
Dhe  ato vajtime të ligjëruara moteve  të shkuara dhe të hedhura në letër prej tij, janë  thjeshtë jeta ime.
Ajo që, rëndom  quhet biografi.



Timo Mërkuri
Sarandë, më 1 nëntor 2010


Seneja më dimbëdhjete *

Seneja  më dimbëdhjetë
Moj Vlora me histori
Plaku Ismail Qemali
Seç foli për Shqipëri
Më datën njëzet e tetë
Do ngrihetë flamuri
Më datën njëzet e nëntë
Do vete më Itali
Dua nja di djem me vete
Gjoja si për tregëti
Po të jenë djem të zotë
Të mo’i kuptoj’ njeri
Dhe në vdeksha unë vetë
Më bini në Shqipëri
Kaninë m’a bëni varrë
T’a kem Sazanin karshi.


 Kostë Gërdhuqi
  Marrë   nga fletorja e shënimeve e Telo Stefanit 


O Qemal, kur të përzunë

O Qemal, kur të përzunë[1]
Se doj’ të të zij Turqia
Reth nobeçitë t’u vunë
Hafijet e policia
Dhe një çikë pa të zunë
Erdhi të mori gjemia
Në Paris bërna të shpunë
Atje tek qe kadimia[2]
Seç u ngre Krajli më gjunjë[3]
Dhe krajlesha dhe e bija
-Cili je ti, more burrë
Që kërkon vulat e mia ?
-Unë jam Smail Qemali
Prapa më vjen historia
Ju lutem vini një vulë
Të më njihetë kufia.
-Të shtatë[4] vulat t’i jap
Po do mos dojë Turqia.
-Do doje se s’është punë
Ësht’ e jona Shqipëria
Sazan e Karaburunë
Janë vatanet e mia.

  Kostë Gërdhuqi
Marrë nga fletorja e Telo Stefanit

O shokë ç’më mori malli

O shokë ç’më mori malli
Ç’u bë Ismail Qemali
Ndë Paris, bërna te Krajli[5]
Hin e del si sorkadh mali
Thotë: Vendin pse m’a ndani
Pse kërkon ta marr’ junani
Fol’ Ismail Beu, folë
Se këtu s’jemi në Vlorë
Shqipërinë na kërkojnë
Shqipe katër  vilajete
Në mes të krajlëve mbete
I thonë sulltanit; -Jepe.
-E jap. Po duan më  vete
Janë trima pa alete
Dinë shumë marifete
I thonë difekut lepe.
-Kur erdhe, pse s’na pëjete.[6]

                                                                                  
Kostë Gërdhuqi
Marrë nga fletorja e shënimeve e Telo Stefanit      

*
Në lidhje me këtë këngë ka mendime se janë dy këngë të ndryshme të bashkuara në një, por gjithsesi ne i japim në variantin që i gjetëm.

Nga Vlora dërgon prefekti

Nga Vlora dërgon prefekti
Të mbëlidhetë mileti
Vjen Qemal Beu nga deti
Është i vdekur i shkreti
-O ju djem, o ju shkollarë
Mos e harroni Qemalë
Që na mbolli këtë farë
Na la hasëll shqipëtarë.



Kostë Gërdhuqi
Marrë nga fletorja e Telo Stefanit

Kur u martua mbreti

Ahmet Zogu kur u martua
Dhe Stefan Prifti[7] u ftua
Ç’pati që më erdhi mua
Dhe më kërkon këngë hua[8]


Kostë Gërdhuqi
E dha i biri Polo Gërdhuqi

_______

Këto vjersha janë botuar nga unë dhe te libri ‘’Madhëria e saj –Kënga iso-polifonike’’ botim i MILOSAO  Sarandë.

Ç’u mblodhë pleqtë më saba

Ç’u mblodhë pleqtë më saba
Gjithë folën me sira[9]
Se ç’u ngre dhe Pilua[10]
Kapetani përmbi ta
Zuri llafin edhe tha ;
-Udhë tjatër nukë ka
Ca do rrimë në kala
Të tjerët osha mbi ta
Që nga Gjashta Llogara
Të lumtë goja, të lumtë palla
Siç e the të doli fjala
Venetiku shket si ngjala
Nderove Thop[11] e mëhalla

Llambro Çipa[12]
Motin  nëntëqint e tetë


Motin nëntëqint e tetë
Erdhë asqerët përpjetë
Ç’u qepën si mizë e bletë
Erdhi dhe Pashai vetë
Thirri pleqtë me të çpejtë
‘’Padishahu jep fermanë
Gjithë ç’kishit, nashtin’ vanë
S’ka kristian e myslimanë
Gjithë do jemi osmanë
Nën’ të madhin padishanë
Pleqtë kur te ai vanë
Me një llaf të gjithë thanë
-Dale se kemi fermanë[13]
Për venomet në Himarë
Mutabiqe në divanë
Veziri ç’u mbush me vrerë
S’më shpëtoni këtë herë
E jep urdhër mbi asqerë
Të përvëlojnë çdo derë
Po ç’e do, ngado që vanë
Qenë vënë në dhokanë[14]
Aferim të gjith u thanë
Që e vutë[15] me pashanë
E ata panë se ç’panë
Ç’u shkulë e ikën e vanë
Dhe e muar basmatanë.

Llambro Çipa

Kjo këngë bën fjalë për kryengritjen e vitit 1908. Ju  rikujtojmë këngën e famëshme himarjote ‘’Nëntëqint e tetë viti/Vaftin që shkoi komiti/ që bën fjalë për të njëjtën kryengritje.
Për autorësinë mendojmë të shihet shënimi i këngës ‘’Ç’u mblodhën pleqtë në saba’’
P.S. Kjo vjershë dhe vjersha ‘’Ç’u mblodhë pleqtë në saba’’ dhënë nga S Çipa, është botuar edhe te libri i Fane Veizit ‘’Bregu i detit në këngë’’ me të cilin edhe jemi konsultuar.

Kuç e Pilur u bashkuan


Qaf, e qishës[16] e bekuar
Kuç e Pilur u mbëluadh[17]
Me qëllim për t’u pajtuar
Prifti e hoxha u takuan[18]
U zunë duar për duar
-Që nga sot e ç’ka kaluar
Të na jenë të harruar.

Kostë Gërdhuqi
E dha i biri Polo Gërdhuqi


Për Pilo Kaçin

O Pilo Kaçi me mënde
Jeshe burrë për kuvënde
Nuk e di se si e bëre
S’le bina për veten tënde
Pr’ato pr’ato grika
Pem, e vreshta që të gjitha
Mo i kish stolisë Gjika


Mërkur Mërkuri
E dha Thoma Kaçi

Autori e ironizon për të bijtë që s’i kish fortë të hajrit.



Dhëndëri si bubuzhinë



Ç’të të themi moj Fotinë
S’të dhanë burrë të mirë
Dhëndëri si bubuzhinë
Një pëllëmb’ e ka kërcinë
Nuk ta shajmë për japinë[19]
Kur  të të humbas’ në brinjë
Do t’a njoç më fërshëllimë
E martë dreqi Vathinë[20]
Mërkur Mërkuri
E dha Thoma Kaçi


Frosina porosit nusen

Moj mandile zezë korbë
Vajte nuse në Lalëpogë[21]
-Ç’tu  them kur të vete poshtë?
-Hidhu trastënë në koshtë.

E dha Mondi Çipa




Një vajzë qe shumë e sertë sa që, jo vetëm kthente fjalë, por vijonte edhe me veprime. Ditën që do martohej, për ta ngacmuar Frosina Çakalli improvizoi dialogun e mësipërm, sikur nusja i kërkon këshilla si të sillej me vjehrrin e vjehrrën dhe kjo i thotë që; sillu ashpër,duke hedhur edhe trastën e ushqimeve në kopësht nga dritarja.

Kolë Koka qan për fiq

O fiq a të zestë fiq
Pse më latë pa miq
S’më flet Qërana në kriq.[22]
E dha Mondi Çipa

Vito m’u bëre në gjumë

Vito m’u bëre në gjumë
Aman moj Vito[23]
Sikur m’u mbite në lumë
Pas teje rashë dhe unë
Më trete Vito, më trete
Më bëre si lule vjeshte
Sa isha i ri më deshe
Se të vija me peshqeshe
Me futje duart në xhepe
Ç’gjeje i mirje për vete.


Popullore
E dha Ksanthipi Lapa


Ç’jam  goditur në ballë

Ç’jam goditurë në ballë[24]
Për një vajzë që kam parë
Hyn e del n’ata divanë[25]
Ngre dollira me filxhanë
Me filxhanin e kafesë
Vajz’ e vogël e nënesë
Bjeri mes për mes baçesë
Këput trëndafil me vesë
-Na jep një moj derëzezë
-Jini djem e s’u zë besë.

Popullore
E dha Ksanthipi Lapa


O trëndafili me vesë
O trëndafili me  vesë
Sakën se kërkon martesë
Pa vajtur njëzet e pesë[26]
O bobo  e zeza unë
Ethet e gushtit më zunë
Seç më zun’ e më këpunë
-Të ligat t’i marça unë
Se jam djal, e duroj shumë
Duroj thika e barunë.

Popullore
E dha Ksanthipi Lapa


Halim Xhelo Tërbaçi


Ki Halim Xhelo Tërbaçi
Qafëgjatë si i jati
Me mbretin e zu inati
Mërkuraj e shpuri fati
Kol Mërkuri e dëgjoi[27]
Si çoban të tij e koi[28]



Me bagëti shtegëtoi
Tej kufirit e mërgoi
......................................


Kostë Gërdhuqi
E dha Polo Gërdhuqi

Dasmë me qepë
-Do këndoj se më erdh’ radha[29]
Se më erdhnë dy zogëlara[30]
Njera pas tjetra rëpara[31]
-Ç’të të them, o Andre Mara[32]
Pa vështro ç’kemi përpara
Qep’ të kuqe e qep të bardha
Hëngrëm ne, u ngop mëhalla.


E dha K. Lapa.

Andrea Çipa në Pilur bëri dasëm se martonte djalin. Pak më parë kishte martuar edhe një djalë, ndaj nga gëzimi këndoi  tri vargjet e para. Një dasmor për ta ngacmuar, mqse kishte shumë qepë sofra e dasmës, prodhimet e reja të kooperativës, që paskëshin qënë me bollëk, ngre këngën si vijon.
Kenga e dashit te vjedhur[33]

Llaj, llaj të keqen mëma
Fli rehat e vështro ëndra
Mos dëfto që ertim bërna
Se janë halle të rënda
Halle që s’na i ka takati
Se kemi ikë nga fshati.
Mjerë un’ e mjerë ti
Se këtu s’kemi njeri
O bobo korba, ç’na gjeti
Mallkuar qoftë kurbeti.



Popullore
E dha Filip Mërkuri


Vitua me shark me llapa


Vitua me shark me llapa
I mërzen tek s’ja zij vapa
Dhën e dhi veçë të trasha.


Kozma Mërkuri
E dha Aleko Mërkuri

  

 ________

Vito Qurku,një bari pilurjot, e ngacmonte rapsodin dhe ky një ditë,nga që s’duroi dot  ja ktheu me bejten e mësipërme .Për t’u kuptuar ironia duhet ditur se Vito Qurku s’dallohej për bagëti të shumta në të imta dhe sa për të trasha ironizohet për  një gomar që kishte .

  
Duhani i mikut


More duhani i mikut
Seç ja solli miku mikut
Po qelbej si gjeth i fikut.

Kozma Mëkuri
E dha Aleko Mërkuri



Rapsodi i kërkoi një mikut të tij  nga Kuçi pak duhan, sepse vetë ky i fundit mburrej për duhanin e mirë që paskish.Duhani i erdhi, por rapsodit sqimatar nuk i pëlqeu fare ndaj i ngriti bejten e mësipërme.


Ku vete Nasho Lapa


- Ku vete, o Nasho Lapë?
- Do vete për nja dy shkarpë
- Se kanë festënë gratë
-  Dhe mo më japin paçatë.[34]

Fane Koka

  
Janinë të vate gjiqi


Ç’të të them, o Rrapo Plisi
Janinë të vate gjiqi
Të treqint groshët i prishi
Treqint përbishte kurrizit
Dot vatanë[35] se bitisi
Dajërit m’i  hoqi fisi
Në vënd u mbeti mërizi
Në s’besoni dilni shini
Ku leh qën e ku del tym
Ku ja bën koburja bym.

Popullore
E dha Velço Gërdhuqi



Një kallaratas pagoi gjykatën në Janinë me qëllim që t’u mirrte pilurjotëve kullotat në  malin në kufi të dy fshatrave.Pilurjotët e morën vesh,i dolën përpara dhe e rrahën,duke mos e lënë të paraqitej  në gjyq,ndonëse kishte bërë parapagimin.Nga mosparaqitja humbi gjyqin. 


Do lanetis këtë jetë

Do lanetis[36] këtë jetë
Për dhimbjet që kam heqë
Për një trëndafil me vesë
O bobo kush mori pjesë
Qeni rud nga të teqesë
Që kish gjezdisur Moresë
O bejka shtërpë në vjeshtë
Që i rope gjithë deshtë
Pse s’u ktheve për të fjetë
Atje ku e dije vetë
Atje ku e dije tinë
Pse s’u ktheve moj Malinë
Të gostiç djalë barinë
Që të heq stenohorinë[37]
Që të mbaja djalërinë
Dhe ti vërtet bukurinë

Koço Mërkuri
E dha Pilo Kolagji

Sylarme, moj grikëzënë


Sylarme moj grikëzënë       sylarme
Dil në portë,apo s’të lënë  sylarme
Mos je yll a mos je hënë       sylarme
A je mollë për të ngrënë     sylarme
Mollë jam ,po s’shitem kurrë sylarme
Jam ilaç për të sëmurë          sylarme


Populli
E dha Pilo Kolagji



 Kam patur një zakon
E kam patur një zakon more shokë
Këndoja si gramafon
Po nashti kush e beson
Mbeti Skutarai fron’[38]
Populli ku dimëron
Nëpër shpella me rigon
Qan foshnja e nuk pushon
S’ka e ëma me ç’e kon[39]
Kostë Gërdhuqi
Pse s’del në qafë te guri


Pse s’del në qafë te guri
Kiço Prift’ e Kiço nuri
I le o Kiço i le
Shtëpinë me gjith bahçe
Dhe porta me zavëza
Bërë Kiçua me sevda
Doli marsi hiri prilli
Ç’na iku Kiço bilbili
Gjikë Çipa vajton mikun
   
O Lilo leshëra kuqe

O Lilo leshëra kuqe
Trëndelina në sënduqe
Tetë dit’ dole hajdute[40]
As u trëmbe, as u tute
Lilo sorkadhe në zë
Ç’kërkove në çadërë
Vallë mo të bënë gjë
-Jo Çeço të keqenë
E keshë qepë me pë
Që përposh e sipërë
Që të gjith atë shullë.


Kozma Mërkuri
E dha Pilo Kolagji   

Në shteg të keq të Koranit


Në shteg të keq të Koranit
Në Qafë të Gjisinamit
Doli një nuse nga stani
I mori flakë fustani
Nga mitraloz i jermanit
Tek shpij bukë partizanit.
O Kalinë[41] vajz e re
U bëre fli për Atdhe
Dot dëshmore s’u bëre[42].

Kostë Gërdhuqi
E dha Pilo Kolagji



Jaho Gjolikut

Jaho Gjolik, kapetani
Për çdo dit’ të rritet nami
Zemra jote si luani
Syri që s’luan nishani
Bën që të dridhet gjermani
Thotë: -Mosni mor,amani.


Kostë Gërdhuqi
E dha Pilo Kolagji


 Ditën e formimit të batalionit të V të Brigatës së VI  , e cila u formua në Pilur ku dhe u  rreshtuan  djemtë dhe vajzat e fshatit Pilur partizanë,rapsodi Kostë Gërdhuqi hoqi një valle të kënduar me tekstin e mësipërm.
 Bukëdhënia e djelmurisë

Moj e bija e Marisë
O ti ill i bukurisë
Bukëdhënia e djelmurisë
Për ca fjal’ të njerëzisë
Vure dufekun në sisë
Natënë në errësirë
Kush e kaptoi avllinë
Në derë të trokëllinë
Në  dishek tek jeshe shtrirë
Në gjum e në ëndërrimë
Seç ta prishi qetësinë
Të puthi e të nduku gjinë.


Kozma Mërkuri
E dha Andrea Çipa

Ç’më thonë për valle
Ç’më thonë për valle
Vallen nuk e di
Vajzatë beqare
Ç’më mbajnë mëri
Më shikojnë vrejtur
Me paraponi[43]
Më thonë:-Pse vete
Me dhën e me dhi
Vajzatë beqare
Ç’më mbajnë mëri.

Zaho Mërkuri
E dha Pilo Kolagji  

Hiqu, Pilo nga minxira

Hiqu Pilo nga minxira
Mos u le djeme hasira
Vini pleqt’ si ësht’ e mira
Për nja di tri net të dira
Merr nja pes’ a gjashtë lira.


  Gjikë Çipa
E dha Andrea Çipa
________

Një fshatar i quajtur Pilo kishte fejuar vajzën,por bëri sherr me dhëndërin dhe,në inat e sipër i tha që s’ta jap vajzën.Dhëndëri i revoltuar,dhe me pëlqimin e heshtur të vajzës, organizon rrëmbimin e saj. Pilua i ofenduar rrëmbeu armën.Rapsodi i thotë të hiqet nga minxira(vrasja që do të bëjë) që të mos u lejë hasmëri (hasira) fëmijëve dhe këtë punë ta zgjidhin me pleqësi. Dhe më pas e ironizon  kur i thotë se për nja di a tri net që fjeti vajza me dhëndërin ( të dira-të gdhira) le të marrë pagesën e gjobës që do t’i vihet dhëndërit
Rapsodi ironizon gjaknxehtësinë e Pilos edhe në vjershën tjetër që thotë :
-Nxirë Pilua bërë pisë/
Si një buall i Vllahisë/
Hunda si qosh i shtëpisë/
Të shomë kë do kumbisë(rrëzojë,vrasë)/
Për rrëmbim të Agathisë.

O, moj gushëbardhë

O, moj gushëbardhë
Do t’i them di fjalë
S’do t’i thom nga vetja
Po ashtu siç janë
Trupinë si ngjalë
Sisatë si dardhë
Ëmbëlsin’ që kanë
Lumthi kush t’i hajë
Fustanin të larmë
Rrugës shkon ngadalë
Por dhe këtë rradhë
Fitove davanë
Se djemtë s’të panë.


Kostë Gjikëdhima
E dha Andrea Çipa

 Unë e zeza unë


Un’ e zeza unë,kuterina[44] unë
Qish do bëj pa burrë
Në ktë fshatin tonë
I madh qiamet u bë
Iknë burrat e na lanë
Lakuriq e xathurë[45]
Dhe ata që ertin prapë
Po të veremosurë[46]
Llogorait[47] ven e vinë
Po për të shëruarë.

 Populli
E dha Velço Gërdhuqi
Qaj Kalbaq e qaj Gjinikë


Qaj Kalbaq e qaj Gjinikë[48]
Se Stella ime ka ikë
E kanë thertë me thikë
Ç’qenë all’ ata rrufjanë
Thernë fëmijën me kamë
Pataksën gjithë dynjanë.


Hajdho Gërdhuqja
E dha Velço Gërdhuqi

Vajtim i Hajdhos për motrën e saj Stellën që u vra pabesisht në mal të Sasajve me gjithe  familjen.Kjo vrasje provokoi një hakmarrje më të përgjakëshme  nga ana e pilurjotëve,  si dhe gjykimin  në mbledhjen e vilajetit në datën 28 Mars 1943.Për efekte njohjeje dhe studimore po japim në këtë libër vendimin e marë në këtë mbledhje,ndërsa procesverbalin e plotë të mbledhjes gjykojmë se nuk ka ardhur koha për ta  publikuar.

                                                 V E N D I M
Të nënshkruarit përfaqësues të katundeve Nivicë-Bubar,  Shënvasil, Lukovë, Piqeras, Borsh,Fterë,Çorraj,Kallarat,Palasë,Dhërmi,Vuno, Himarë, Qeparo dhe Kudhës,në mungesë të përfaqësuesve të katundeve Kalasë, Tatzat dhe Bolenë, që ishin ftuar nga katundet  Nivicë-Bubar, Shën-Vasil, Lukovë, Piqeras për të biseduar rreth konfliktit që egziston mes fshatrave Sasaj dhe Pilur, të mbledhur sot më datën 28 Mars 1943 (Njëmijë e nëntëqint e dyzetëetre) në katundin Kudhës të rrethit Vlorë, biseduan rreth konfliktit në fjalë, ku shkëmbyen mendime të gjëra  tërë ditën e sotme, me zëra të përbashkët
                                               V e n d o s ë m
1-Qysh nga dita e sotme e deri në mbarim të luftës së tashme të përbotëshme dhe në qetësimin e plotë të brendshëm të vëndit tonë,të dy katundet Sasaj dhe Pilur do të kenë një armëpushim të plotë, duke mos prekur asnjeri prej të  dy anëve, sido që të takojë gjatë kësaj lufte që është në zhvillim.
2-Në mbarim të plotë të luftës secilado anë që ta quajë vështirë të detyruar nga ana tjetër,ka të drejtë të provokojë mbledhjen e një vilajeti të ri para të cilit të paraqesë të gjitha pretendimet e tij për të siguruar të drejtat e zakonit.
3-Në rast se ndonjëra palë(Sasaj-Pilur) brënda kohës së caktuar në pikën e parë të këtij vendimi do guxojë të shkelë dispozitat e po këtij vendimi,duke diktuar palës tjetër për hakmarrje,atëherë do të quhet në luftë të hapët e të drejtë  me të gjitha katundet që përfaqëson vilajeti me këto rrjedhime e masa;
A-Në rast të një vepre kriminale nga një ose më shumë persona,egzekutimi i menjëhershëm i fajtorit ose i fajtorëve do të kryhet prej popullit të katundit të vetë dhe në rast refuzimi të këtij ekzekutimi prej popullit të katundit të fajtorit e të fajtorëve,atëherë gjithë katundi quhet bashkëfajtor dhe u mbetet krerëve pjesëmarrës në këtë vilajet detyra e ekzekutimit.
B-Në rast se krimineli ose kriminelët i shpëtojnë ekzekutimit, * arratisje ose mëshehje,merren këto masa: i digjet shtëpia,u konfiksohet pasuria,u dëbohet familja prej katundit të vetë ashtu edhe prej katundeve të përfaqësuara sot.
C-Cilido që bëhet strehë për familjen e për fajtorët si nga katundi i vetë ashtu edhe  nga katundet  e tjera të këtij vilajeti,do të ketë po atë dënim që përmendet në pikën B të nenit tre të këtij vendimi.
4-Në këtë armëpushim në pikat dhe dispozitat të këtij vendimi zë edhe katundet që quhen ose mund të quhen të implikuar në konfliktin Sasaj-Pilur.
5-Ky vendim mbahet në tre kopje origjinale nga të cilat njëra i shkon Këshillit të katundit Kuç,e dyta Këshillit të Himarës dhe e treta Këshillit të katundit Nivic-Bubar.Këto të tre këshilla ngarkohen të shpërndajnë kopje të njëjta me origjinalin e këtij vendimi nëpër katundet e thirrura në mbledhjen e sotme të paraqitur.
Këshilli i Kuçit do shpërndaje kopjet e këtij vendimi në këto katunde;Bolenë,Çorraj,Kallarat,Tatzat,Kalasë.
Këshilla e Himarës ndër këto katunde: Qeparo,Kudhës,Vuno,Dhërmi e Palasë.
Këshilla e Nivicë-Bubarit në katundet Shën-Vasil,Lukovë,Piqeras e Borsh.
6-Ky vendim pasi u redaktua u lexua me zë të lartë,u dëgjua prej të gjithëve,u pëlqye dhe nënshkruhet;

HIMARË                               QEPARO                   PILUR
Jorgji Bollani                         Naqe S. Gjika            Pano Bala
Niko Kaçelano                      Kozma Mali              Dhimë Gërdhuqi 
                                                Grigor Polo               Dhimë Lapa

KUDHES                              PIQERAS                    NIVICË-BUBAR
Miço Gjini                            Sokrat Zaho                Miltiadh Papadhima
Mino Llambro                     Gogo Llaçi                  Vaso Psoniti 
Jorgo Kabuci                                                             Kozma Baçeri

VUNO                                    BORSH                      SHËN-VASIL
Taso Pilo                               Fuat Mati                   Spiro Dajko
                                               Xhafer Hajdini

LUKOVE                              DHËRMI                    KUÇ            
Dhimë Varfi                         Kostë Gorea               Bilal Shahini     
Vasil Llazari                                                             Rapo Ali 
          Veip Zilfo

ÇORRAJ                               FTERRA                    KALLARAT  
Bektash Alikaj                      Ali Dhuli                  Veliko Murati
Josif Kopali                                                              V.Balili               

PALASË                                                             
Grigor Vera                                      

Shëni: Kopjuar sipas origjinalit prej Ll.V.
Qeparo,më 10.04.1995
 *- Mendoj se këtu mungon  fjala ‘’me’’,dmth  të shpëtojë  me arratisje etj.
Sqaroj se në këtë material nuk kam bërë asnjë ndërhyrje,  qoftë edhe për rregullime gramatikore.

Mos u tremb, s’ta merr njeri

Vapori zeherli
Miqtë të rinë karshi
Kanë lidhë rip të zi
Pallati vetëmë ri
Mos u trëmb , s’ta merr njeri
S’e e ke hedh’ në tapi
Doktori dhe deputeti
Vetë vdiq apo ç’e gjeti
Thanë e helmoi mbreti*


Marrë Priftja
E dha i biri Dhimë Boçi

 ___________

Marrë Priftja vajton  në vdekjen e  Simo Nidhit në 1940,deputet i Parlamentit,nga Vunoi, qëndrimi i të cilit në raport me Italinë fashiste shkaktoi dhe përhapjen e një versioni helmimi nga iItalianët,në tekst mbreti italian.

Për huanë shtetërore   

Në fshat erdhi Bilbil Gjika
Në Vanovë[49] mban  fjalim
Të mbëlidhen ca të holla
Për hua në qeveri
Fjalënë e mori Rina[50]
-S’është këtu Mërkuri im
Të nxir portofoln e tija
Të derdhte sheshit sotri[51]


Kozma Mërkuri
E dha Dhimë Boçi
                                          


Në kuadër  të huasë shtëtërore,u bë dhe në Pilur propogandë për dhënien e  saj,por pilurjotët,tradicionalisht të varfër dhanë dhe këtë  ..bejte.

Maji më pesëmbëdhjetë

Maji më pesëmbëdhjetë
Shkon e shkruan një gazetë
Për Kurveleshin përpjetë
Kurveleshi maja maja
Progonat ç’u bë hataja
Të tre Totajtë ç’i gjeti
Gjolekaj seç ra gazepi
Ç’u vra Bejkush dhe Xhevdeti[52]


Llambro Çipa
E dha Dhimë Boçi

  
Në Maj 1937 dështoi Kryengritja e Hetem Totos, i cili vrau veten në Progonat.
Amaneti

Un’do vete në kurbet
O moj lulja plot lezet
Do të lë një amanet
N.K.[53] mos ja jep
Për të tjerët mos pyet
Radhën si të duash vet.

Mërkur Mërkuri
E dha S.Çipa
 Nëntëdhjet e shtata në det

Nëntëdhjet e shtata në det
Për Shqipërin qiamet
U tund vëndi si tërmet
Si në tokë dhe në det
M’iku vajza vet e tret
Se kush e bëri sebet
Qoftë mallkuar për jet
Në Otranto u zun’ shteg
Mbi njëqint e disa vet
Të zest’ i hodhë në det
Lapidarë[54] breg më breg.


Katerë Gërdhuqia vajton të bijën, Kasjani Pestrova mbytur në Otranto në 97 bashkë me dy djemt e saj.

Naço Boçi burrë zakoni

Naço Boçi burrë zakoni
I kërkon ndihmë gjitoni[55]
Do ta jap po mo’ tregoni
Se fshatin m’a përvëloni
Mendon Naçia së paku
Shkon te Llambro kryeplaku
-Unë dua rrobë gjaku
Llambro Çipa e kuptoi
Shpejt e shpejt një letër shkroi
Milto Rexhos ja dërgoi
Njëzet metra i pagoi
Shtëpia përtej përoit
Koço Çekefit ja çoi
Për gjith natën e mbaroi
Shkabën seç e pikturoi
Te flamuri që valoi.


Kostë Gërdhuqi
E dha P.Gërdhuqi
Nëntëqint e dhjetë viti

Nëntëqint e dhjetë viti
Vaftin që shkoi komiti[56]
Shqipëria kriengriti
Ju hodh greku dhe e priti
Ç’kërkonte këtu jeziti
Ç’kërkonte në këto anë
Neve jemi Shqipëtarë
Luftojm’ e mbrojme vatanë.

Kostë Gërdhuqi
E dha Polo Gërdhuqi


Një variant tjetër i kësaj kënge thotë;Nëntëqint e dhjetë viti/Vaftin që shkoi komiti/Than Himara  kryengriti/Seç u ngre muteserifi/Asqer nga Preveza ngriti/Himarës seç ja vërviti/Himar e zeza Himarë/Njëmij e dyqint këmbanë/Ç’kini këmbana, pse s’bini/Apo trëmbi nga veziri/Bini moj të zeza bini..
Këtë variant të dytë ka incizuar grupi i Neço Mukos në Paris.
Grik e zallit, grik e bardhë

Një kuçiot:
Pilurjot u martë lumi
Kaurët i   zuri gjumi
Kozma Mërkuri :
Grik e zallit grik e bardhë
Çadëretë radhë radhë
O bejler e agallarë
Dilni të shihni jonanë[57]
Turqet* u prishi vatanë
U bën shtëpitë me panjë*
Mos e cingrisni shejtanë
S’është larg po është pranë.


E dha Velço Gërdhuqi

Në një dasëm  në fshatin Kuç,një vendas ngacmon rapsodin , të pranishëm si mik i ftuar.Rapsodi i përgjigjet duke revokuar një luftë  të herëshmë midis dy fshatrave, ku  pilurjotët dogjën disa shtëpi të kuçiotëve(turqet) dhe  ata, provizorisht ndërtuan shtëpi me dru (panjë) ose qëndruan nëpër çadra te zalli.Ndaj mos ta ngacmojnë se jemi pranë njëri- tjetrit.Për hir të së vërtetës duhet të themi se të zotët e shtëpisë e mbështetën fuqimisht rapsodin.   
Të hëngëri pleqëria

Të hëngëri pleqëria
Komandant Milo Mërkuri
S’do të humbë historia
Pas të vijnë djelmuria[58]
O trimi mbi trima gjithë
Delvinaq ngrite një pritë
.........................................
Për ata djem të Shqipërisë
Mbetur në Favian[59] të gjithë
Në bodrum të Italisë
Jorgo Mërkuri[60] o dritë.

Lefter Mërkuri
Kush e njih Milo Mërkurin

Kush e njih Milo Mërkurin
Çepezi[61] e vllakabulin
Hajdut[62] i maleve Sulit
Hajdut i malit Janinë
Kur e vranë Metelinë[63]
Italia sollot i nisi
Korfuzin e borbadisi[64]
Edhe shkollat ja gremisi
Në radio foli Anglia
Sa do japë+ Italia
Italia s’foli shumë
Pesjetedy meleunë[65]
Pesjetedy katomirë[66]
Që të mos prishë Greqinë.

Kozma Mërkuri
E dha Velço Gërdhuqi

  
Pilurjotët mbi Himarë

Pilurjotët mbi Himarë
Ormisnë[67] gjeminë[68] e vanë
Kaptuanë  Strakënanë[69]
Hodhën syt e panë zjarrë[70]
Panë Kriston e Serjanë[71]
Kristo Daca e Serjan Daca
Njëmij e dyqint kuaca[72]
Kur i rethosnë[73] te harca
U vijnë plumbat si mjaltëca[74]
Populli
E dha Syrja  Vangjeli


Turp i madh….


Treqint kok’ kope e Luçe
Hequr këmborë e buqe[75]
Turp i madh për djemt e Kuçe.

Populli
E dha K.Stefani

  
Porsi ujë shkojnë vjetët


Porsi ujë shkojnë vjetët
Me vaj e me psherëtimë
Në vdeksha me të vërtetë
Do të më kujtosh, të zinë
Të vish në varr ndonjëherë
Dhe të ma rethosh me drizë[76]
Të më qash me lot e ligje
Të logitç me ngashërimë.



Kozma Mërkuri
E dha Aleko Mërkuri



Spirua i hidhëruar

Spirua i hidhëruar
Se miku i kish mbaruar *
Vajti për të ngushëlluar
Me plakun kur u takuan
U tok** e u përqafuan
Seç foli pa u mejtuar
-Dhe më të tjerë-tha nxituar
Pa iku i turpëruar.

Kostë Gërdhuqi
E dha Polo Gërdhuqi

 _________

Spiro Kolagji shkon për ngushëllim në Kuç sepse i kishte vdekur(mbaruar) një mik.Nga hutimi apo dhimbja, kur takon të jatin e të ndjerit,në vend që ta ngushëllojë sipas ritualit,psh ‘’të roni vetë’’,i thotë ‘’edhe më kokën e të tjerëve’’ e cila në fakt, është një urim që jipet nëpër dasma, kur uron që të martohen edhe të tjerët, ndërsa këtu tingëllon sikur uron’’ardhsha dhe në vdekjen e të tjerëve,vdekshin dhe të tjerët’’.            


Në rrëzë të Kastanesë

Në rrëzë të Kastanesë[77]
U hap grika e qesesë[78]
Kufiri mori një kthesë
Mori gjysmën e baçesë
Doli Stela të pëjesë
Se s’i lanë vënd të …dhjesë.

  
Kostë Gërdhuqi
E dha Polo Gërdhuqi


Pas debateve shumëvjeçare,u caktua kufiri  i territoreve Pilur-Himarë në Kastane.
Por një fshatar që e kishte shtëpinë në Kastane, ankohet se  kufiri i kalon mespërmes bahçesë, dhe rapsodi, për ta bërë  situatën komike, sepse s’ishte vendi për pretendime të vogla pas debateve shumëvjeçare për territoret, thotë se këtij bashkëfshatari kufiri i kalon  pikërisht te  banja e shtëpisë.  Për të bërë devijimin e kufirit kërkoi dëmshpërblim.

Ç’panë me çobanët, ç’panë?


Kiço Gërdhuqi e Klio Kaçi
Në Buna[79] u ngeli vrapi
Aty gjermani i kapi
Shpejt e shpejt u la hesapi.
Pëjet qiqia bilbilë
Ç’ësht’ andej nga fshati inë
Vëndi në Apoqistirë
Dëgjonet një ulërimë
Vran Kiçon e Iraklinë
Ç’panë me çobanët,ç’panë[80]
Sos qenë politikanë.
………………………………….
                                                                      

Kostë Gërdhuqi
E dha  Polo Gërdhuqi


_______

Në qershor të vitit 1943 gjermanët kapën dy pilurjotë dhe i masakruan barbarisht, sepse nuk pranuan t’u tregonin vendndodhjen e partizanëve.

Për Cidhe Kolagjin

Kozma Mërkuri:-Krushku Cidhe na vjen lart
Kostë Gërdhuqi:-I kërkon fshatit hesap
Kozma Mërkuri:-Sos ka luftuarë pak
Kostë Gërdhuqi:-Bërtet si në Karadak.

 _______

Një ditë dy rapsodët rrinin te rrapi i fshatit dhe shohin që nga  rruga e poshtëme,ku e kishte shtëpinë,po ngjitej për te rrapi bashkëfshatari i tyre Cidhe Kolagji.Rapsodët,duke qënë se kishin edhe lidhje krushqie me të, mendojnë ta ngacmojnë pakëz, ndaj ngrenë këtë bejte duke thënë secili nga një varg.E bukura është se Cidhe Kolagji ishte një fshatar i urtë që si qe dëgjuar zëri për ndonjë gjë,e jo më që ai të ngrihej e t’i kërkonte fshatit hesap për ndonjë padrejtësi e të bërtiste si në Karadak.Vetkuptohet që nuk kishte luftuar gjëkundi.


                   
Ç’ kan’ vajzat e fshatit
Ç’ kan ’ vajzat e fshatit
Që më mbajn mëri
Jam ritur në male
Me dhën e me dhi
Ç’më dërgojnë letra
Që t’i mba në gji
Të mos heq dot valle
As të pi dolli
Ç’ke moj lumëmadhe
Që ma bën me sy
Më hajde pas nate
Kur zë frin veri
Të të zbërthej gushën
Tër’ ato stoli
Të të puth moj buzën
Se jam djal’ i ri
Për ty përmbys botën
Moj për perëndi.


 Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji

 Aty ku hardhia pikon vesë nate

Aty ku hardhia pikon vesë nate
Ku t’u lag shamia dhe gjiret i lage
Ndaj nga vajzëria vete vjen me çape
Po unë të dija që ti s’thoshe llafe
Ç’ka që gjitonia të përgjon inatçe
Këshillat e mia ti ndërmënd s’i pate
Ndaj dhe bukuria iku,po ku vate
Këtë nuk e dija,se mendoja hakçe
Se përndryshe tija  do të mirja fshatçe
E gjith miqësia të këndonte labçe

Mërkur Mërkuri
E dha P.Kolagji
Kur veje për ujë në hure
Kur veje për ujë në zgurë
Dërudh-o bejka dërudhë
Ta gjëgjova tevaturë
Ç’qen ata që poqe mb’udhë
Dy djem me baluke tunë
Ki Manoli me Mërkurë[81]
Pse rrugën para të zunë
Apo me tij keshnë punë
Di rripa bakshish ti prunë
Ti i  gostite me shkumë
O beronj pa pjellë kurrë
Se se kishe mir’ me burrë
Ai dre që rij mbi gurë
Si një zog të puth në buzë.

Mërkur Mërkuri
E dha S.Kolagji
O ju që vini nga Vlora

O ju që vini nga Vlora
O ju burra sihariq
Vërtet erdhi nga Evropa
Me flamur e vul’ Smaili
I shkarkoi malet nga bora
Që t’i  rij’ pran’ Boletini
Rroftë Vlora dhe Kosova
Ç’bajrakë bën shqiptarizmi
Nëpër koh’ ja bëjnë fora
Nëpër re shkojnë si ylli
Ndaj erdhën dhe ditët tona
Këtu ku këndon bilbili
Dhe ti ngrerë supet Zonja[82]
T’i marrë zbukurime siri.

  
Mërkur Mërkuri
E dha  Pilo Kolagji

Piluri në këto maja

Piluri në këto maja
E la këngën nga hataja
Si në ca vite përpara
Seç i ra në qaf’ belaja
Derdhet gjaku nëpër pllaja
Sa që u mbyt kasabaja
Gjithë Bregu dhe Himara
Kullës Vunoit me shkalla
Nuk e di sepse u vrava
Pse me kaqë lot u qava
Ndaj zë i Kristofor djalit
Flet nga thellësi e varrit.

Mërkur Mërkuri
E dha P.Kolagji

Çeli manushaqja
Çeli manushaqja
S’bëra me shëndet
Pse moj të qesh faqja
Pse me goj’ s’më flet
Djemve-të thotë dadia
T’u qëndrosh serbes
Një djalosh nga tavajt[83]
Seç u bë sebep
Ai kish dy vija[84]
Dhe fliste serbez
Ç’i dërgoi lajmin
Për ta marë vesh
Seç i thot’ e bija
-Nënë mos e qesh[85]
Unë jam me të
Të më marrë shpejt
Më bëhet pusia
Në çdo vënd e shteg.
.

 Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji
Ku do verosh sivjet
Ku do më verosh sivjet
Me peshlli e me jelek
Do veroj mrizeve  t’malit
Se na zuri fund’ i majit
N’atë mal do ketë borë
Që gusha mos të ket’ kollë
Atje ecën dheut hëna
Nëpër zogj shkon dhe thëllëza
Mbas beharit do vij vjeshta
Ç’do t’i bësh nazet e serta
Kur të kthehem,në të gjetça
Do flem’ bashkë në të leshta
O gur i kuq i unazës
Do të mba sipër kërrabës.

                                          
Mërkur Mërkuri  

Të  pres të vish
Të pres të vish moj Zoicë
Të vish në Kalbaq një ditë
Se të kam gruan e dytë
Të të tregoj ku jam rritë
Nëpër lugje e muristë
Atje e shkova të rritë
Mrizeve lulejeshiltë
Vite dhe muaj të gjithë
Më rinin pran’ bukuritë
Shokët që keshë vërsnikë
Që ja kthenimë me grikë
Me ta lidha miqësitë
Po tani jam për të ikë[86]
Veç s’më vjen keq asnjë çikë
Ju lë kujtim ëmbëlsitë
Që më buronin nga sitë
Lamtumirë ti Zoicë
Mos e vur të zez’ shaminë
Se kështu kan ik’ të gjithë.

Mërkur Mërkuri
Atje në qafë te lera
Atje në Qafë,te lera[87]
Sapo vin leshëraverdha
Më pëjeti;-Qysh u era[88]
-Kështu si më zuri era
-Pse s’bën zanate të tjera
-Më mungon kalem e pena
-Bënu bujk shko  në të mbjella
-Më mungon parëmënd’ e zgjedha.


Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji


_________

Këngë e ngritur në formë dialogu me bashkëfshataren e tij Kostando M.

Më tha : -Tutje nga behari
Vajturë në mes behari
Po vin një djalë nga mali
Veshur me rroba pazari[89]
Me dy lule xhamadani
Me këpucë Derviçani[90]
Vij një vajzë te çobani
Ngritur mbi gjunjë fustani
Çoç i lipa e nuk ma fali
Më tha;-Tutje nga behari
- Mos ma shtyj të marrtë djalli
Se do më marrë nizami[91]
- Nizami s’të merr nashtinë[92]
-     Po nga vjeshta që do vijë.


Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji

Gushtovjeshta trembëdhjetë


Gushtovjeshta trembëdhjetë
Në Val u bë kujia[93]
Qe një vajzë nuri vetë
Me qafë djemve çu rra[94]
Ç’u ngre Dhimë Boç i shkretë
Në Priftaj vate u tha
Priftajt qenë….[95]
I dhanë difek në kra’
Kur e more o i shkretë
Pse s’e shkrepe atë dugra[96]
Se ata qenë sorqedhë[97]
Me maliherë në kra
Margariti e Koçua

Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji

 ­­______

Një vajzë e bukur duhej nga një djalë por i jati këmbnguli ta martonte aty ku e kishte lidhur fjalën që në fëmini.Atëhera ajo nga dëshpërimi vari veten
Pleqërinë s’ma rrëfeve

Moj jeta me shumë rreme
Që kur linda më gënjeve
Pleqërinë s’ma rrëfeve
Duar e këmbë m’i preve.
Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji

 ________

Katër rreshta që thonë shumë më shumë edhe se  nje poemë


Fanenë e kam ortak

Pa dëgjoni more fshat
Fanenë e kam ortak[98]
Jo vetëm si shtrëmbërak
E nxjer gjuhën si lopat’
Ka lezet kur del në rrap.
Fanë Koka shtrëmbëraku
S’varesh dot nga Dhimë dhjaku[99]
Sikur të ka vdekë plaku
Dhe plaku të të kish vdek
Në kishë s’do kishe mbet’.


Mërkur Mërkuri
E dha Simo Kolagji

Qeveri nuk e bën mirë

Nivica një pun’ e madhe
Treqintmijë groshë livadhe.
                               Populli
 Që në Nivic[100] e përpjetë
U mbëlodh i gjith Bregdeti
Se ka halle të mëdha
Qeveri nuk e bën mirë
Që e bën luftën me gra[101]
Lad Kumiu shum i qetë
Nuk bën sherr e shamata
-Ç’bëni, o qeveritarë
Pse na futët në bela
Ne jemi të zot’ e vendit
Këtu shteti prona s’ka
Kakomeja ësht’ e jona
E kemi me kartëra
Blerë me flori në dorë
Shkuar dy shekuj e ca
Gjithë bregdeti e di
Se ua jipnim me qera
Qeveritarë ,ta dini
Populli s’ju del në kra’
Është’ e jona Kakomeja
Aty shteti prona s’ka.


P. Kolagji
                                                                                                  

O Bregdet, që s’u dhe kurrë

O Bregdet që s’u dhe kurrë
Qëndrove mbi shkëmb e gurë
Kreve kapedanë shumë
Ndë Vuno Seo Nesturë
Qeparoi Sokrat nurë[102]
Konom Zoton deli burrë[103]
Në Dhërmi Jani Kocanë
Në Pilur Zerbin Çakallë
Në Palasë Vangjel Janë
Kristo Vjero kapedanë[104]
Në Iljas Tolen me namë[105]
Odhisenë,trim asllanë[106]
Që luftuan për vatanë
Dhe s’pëjetën për osmanë

Populli
E dha Ideal Serjani

Kjo këngë përputhet me raportin e konsullit Austro-hungarez P.Oculi drejtuar nga Janina më 30 Mars 1878 kontit Andrassy në Vjenë, ku ndër të tjera thuhet::-’’Krahina e Himarës që përbëhet nga shtatë fshatra të banuara krejt prej të krishterësh që përbëhen nga Himara, Vunoi, Iliasi, Dhërmiu, Palasën, Qeparoin dhe Pilurin ka dhënë e gjitha besën …dhe ka dërguar gjatë bregut të detit roje për të ndalur çdo zbarkim të ngatërestarëve…(Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizerenit.Vol.II fq 117,118
Varianti i dytë I kësaj kënge është;-Janari njëzet e tete/Viti shtatëdhjet e tetë/Ç’u mbëlodhë gjithë pleqtë/Që të jipej besa besë/Odhisea nga Vunoi/Sokrati nga Qeparoi/Nga Dhërmiu Jan Kocani/Nga Palasa qirje Jani/Piluri Zerbin Çakalli/Kristo Vjero burrë stralli/Tole Gjided’ kapedani/Konom Zotua sorkadhi/Ndë kishë te Shën Mitri/Seç foli Seo astriti/Dëgjoni o kapedani/Llohagoi Jorgj’Stefanë/Neve na kërkon nizamë/Të hidhemi me junanë/Mexhlisi gjithë i thanë/S’kemi punë me junanë/As me qir’Jorgji Stefanë/Besënë Lidhjes ja dhamë/Do luftojmë për vatanë. 



Për Telo Stefanin

Iku dimri, erdh’ behari
S’këndon më bilbil i Majit
Qish  duron Telo Stefani
Qish  duron e s’del nga varri
Të vish në Pilur te rrapi
O nipi i Dhimitraqit
Pirë ujë të Kalbaqit.



Arqile Lapa

  
Shokët u presin në pjacë
Për një ditë e për një natë[107]
Qëndro Muço e Zaho Lapë
Ç’patë trima,ç’farë patë
Si u mori dhe e latë
U tha do të vini prapë
Shokët u presin në pjacë
Të dëgjojn ato shakatë
Shokëve  u thatë krahtë
Se nuk kini për të ardhë.

Arqile Lapa

 O Enver

O Enver  e o Enver
Ο  Enver
Na jep buk’ e mo’ na therr[108]
O Enver
Për një copë paranike[109]
O Enver
Vate[110] dhe shkolla unike
O Enver

.

 
Të bijt’ e Llambro Mërkurit
Të bijt’ e Llambro Mërkurit
Të pesë djemtë që ishnë
Gjika edhe Kolë nuri
Dhe Kozmai me Pelinë
Zahua na humbi fare
Iku dhe mori Gërqinë[111]
Dy motra porsi thëllëza
Kjo Janulla me Kaninë
Janulla shkonte stopane[112]
Kania mbante shtëpinë

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


________

P.S.Shih shënimin në parathënie.
Shejtan e turispinaq

Një djal i …[113]
Mistrec e pa gjak në faqe
Na gjezdis nëpër sokaqe
Duke çpikur palo llafe
Ç’pate me fshatarët[114] ç’pate
Ç’fitove pse çpike llafe
S’të vjen turp kur del në lagje
Ti shejtan,turispinaqe.

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit.

E shkreta zëmëra ime
O moj jetë,jet’ e shkretë
Ç’më farmakose të zinë
Porsi ujët rrjedhin vjetët
Me lot e me psherëtimë
Njeriu ësht’ më i fortë
Dhe nga hekuri dhe nga guri
Por çudi si i ikin lotët
Teposhtë si rrëke lumi
Kur kujton ç’hoqe në jetë
Ikin lotët,ikën gjumi
Shkruaj o moj dorë shkruaj
Të gjitha këto kujtime
Sa ka qar’ e ka vajtuar
E shkreta zëmëra ime
Është çarë e copëtuar
Është bër cop e thërrime
Për ç’kam hequr e ç’kam vuar
Në këtë jetënë time.



Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


Yllin në fytyrë keshe
Perso[115] e vogël pesëmet[116] vjeçe
E rritura me të keqe
Sipër në Dardhë[117],në sheshe
Sa të desha e sa më deshe
Yllin[118] në fytyrë keshe
Un’ nevrik,ti zije qeshje[119]
Më thoshje kujdes për vete[120]
Dita ka një orë të keqe
Sado e vogël që jeshe
Merakun të madh e keshe
Gjumë të plotë nuk fjete
Zgjuar në zëmër më mbete.
                                              
Marrë  nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


Moj lulia  e beharit

Moj lulia e beharit
S’të harroj
Shikoj luletë nga mali
Ty kujtoj
Edhe kur thahetë bari
Të mendoj
Ende s’të ka tretë varri
Lule moj
Të ka ardhurë dhe djali
Ndaj vajtoj
…………………………….

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkuri


Do të qaj fort e më fort
Do zë e do qaj me lot
Do të qaj fort e më fort
Do qaj se mbeta pa short[121]
Se Persua humbi kot
Dhe më la fëmijë plot
Un’ i ziu s’i rrit dot
-Leri lotët, o i shkret
Persua s’të vjen në jet’
Do heqësh ç’ke për të heq’
Do t’i rritësh fëmijët vetë
Herë mirë e herë keq
Kështu e ka kijo jet’.


Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


 
Qaj për ty e qaj për djalë


Sipërë në malin Dardhë
Moj trëndelina e rrallë
U pamë për her’ të parë
E lidhëm besën me fjalë
Vam e prindërve u thamë
Pëlqim e bekim na dhanë.
Shkuam njëzet vjet të mbarë
Më pas fatkeqsit’ na ndanë
Shumë vjet shkuarë kanë
U’ pres, po ju s’kini ardhë
Nat’ e ditë u kam qarë
Qaj për ty e qaj për djalë
Edhe për nënënë pranë.


Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


Fëmijët vetëm shiko

Qaj Manol për jetën tënde
Qaj me lot e ligjëro
Mos shpreso te jet e rreme
Fëmijët vetëm vështro[122]
Shikoi,shikoi mirë
Se tjetër njeri s’të do
Disa s’të duanë fare
Ndaj me kapriço qëndro
…………………………
Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit

Unë vij përher në varre [123]


O trëndelina në male
Moj pëllumbesh’ e sorkadhe
Nga neve shum shpejt u ndave
Unë vij përher’ në varre
Shoh fotografin[124] e madhe
……………………………
Pëllumbesh qafësorkadhe
U ndam e s’u pamë fare.
-Ç’kuvendon Manol i shkretë
Di ndonjë që të ket’ vdekë
Të ket ardhë prap’ në jetë?



Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


O trëndelina me fletë


O trëndelina me fletë
Si më ike pa u pjekë[125]
Për fëmij’ s’të erdhi keq
Po për mua të shkretë
Kaluan njëstetre[126] vjetë
O trëndelina në male
Si s’të mori malli fare
Të shikosh fëmijt e shkretë
Djemtë bërë si sorqedhtë
Vajzatë si deshe vetë
Dhe nure nuset e tua
Porsi luletë në ftua.



Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit

 _______

Përgjithësisht në çdo përvjetor  im atë ngrinte nga një vajtim për gruan e djalin. Por ne zgjodhëm disa për këtë botim.

Dal e  nuk të shoh pazarit

More jetim i babait
Dal e nuk të shoh pazarit
Vdiqa dhe më piku malli
Djalë shpirt e djalë xhani
Ah,kur kujtoj Palavlinë
Atë ditë tetë prillë
S’të erdhi njeri për ndihmë
……………………………….

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit
  
 ________

Vajton vdekjen tragjike të të birit në repartin ushtarak në Palavli në 8 Prill 1978  
 Djal’, o djalë bukuria

Djal’ o djalë bukuria
Ç’më sheh nga fotografia
Anash Persua e Vanthia[127]
Të kanë në mes të dia[128]
U rrite me të këqia
Seç të mori ushtëria
U bë sebep Palavlia
Po s’të hafroj unë tija
Nuk  pushojn lotët e mia
Se u ndava nga fëmija.
………………………
  

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


Gjashtë vjet me rradhë
Gjashtë vjet me rradhë[129]
Vij e qaj mbi varre
Tek rri bashkë me gjyshen
Bashkë me mamanë
Thuamë një fjalë
Që të heq meraknë
T’u shërua plaga
Plumbin ku ke marrë?

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit


 Kur të zë gripi në pleqëri


O Manol kusure shumë
Je sëmur e re në gjunjë
Rënkon dhe ankohesh shumë
- Po ti dukej goxha burrë[130].
-Këtë her’ më bëri punë
Gripi që erdhi tek unë
Se nga zemra jam sëmurë.
…………………………..


19.2.1989

Marrë nga fletorja e shënimeve të Manol Mërkurit


Syri të hapi qederë

O Manol, për këtë herë
Ç’u sëmure, o i mjerë
Syri të hapi qederë
……[131]  doktor pa vlere
Ndaj e hoqënë këtejë
Po doktorëtë ku qenë
Në Gjirokastr’ e më tejë
S’kish doktor,qe bër’ ferë[132]
U nise për Tepelenë
Si Aliu në bedenë[133]
Po Tepelena në brinjë
Kishte një doktor të mirë
Kishte Vladimir Bilbilë[134]
Ai më shpëtoi synë.

 Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit

Unë i lutem lexuesit që në rast se e njeh këtë mjek,t’i thotë se,vërtet Manol Mërkuri nuk e ka paguar për shërbimin(ishte gusht i vitit 1988 kur u shtrua në spital dhe data 9 gusht kur u shkrua vjersha, pra vetëkuptohet që nuk bëhej fjalë për shpërblim monetar në spitale) por e përjetësoi mirënjohjen e tij në këto vargje.Është detyra ime që t’ia përcjell atij  mjeku këtë konsideratë të tim eti dhe për këtë të kërkoj edhe ndihmën tuaj.



Vajtim për vëllanë

Bosh krevati n’atë anë
U dergje dy vjet me rradhë
Sëmundjes s’i bëre ballë
Dhe s’ja gjete dot dermanë
Unë i ziu për vëllanë
I ziu dhe pr’atë* djalë
Takoje Torinë** tanë
Dhe shikoja*** atë plagë
Malli shumë më ka marrë
Kam njëmbëdhjet vjet me rradhë
E kërkoj nëpër Sarandë
…………………………..

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit

 __________

Në  28.2.1989 vdes i vëllai Andon (Nono) Mërkuri. Është e zakonëshme ndër pilurjotë që në një vdekje,gjatë vajit,t’i jipen porosi të ndjerit  që të çojë disa amanete te të vdekurit e mëparshëm në atë botën tjetër ku me siguri do e takojë.
Në këtë rast porosit të vëllanë   që t’ja mjekojë (shikojë) plagën vdekjeprurëse të birit, Dhimitraqit(Torit).
Kur shkoj në Delvinë[135]
Kur shkoj në Delvinë
Tori, djali im[136]
Vështroj Palavlinë
Ku më ishe tinë
Që bëje ushtrinë
Ç’patnë more, ç’patnë
Ç’patnë me jetimnë
Që më bën mynxyrë.

Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit
Kështu e ka kijo jetë

More Manol bukuria
Atëherë kur ishe djalë
Ka lezet fotografia
Në lulishte ku ke dalë
I ri ,nga përgjegjësia
………………………
Punëtë mirë të vanë
Po më pas erdhi stuhia
Të iku[137] grua e djalë
Para kohe,pleqëria
Halle të rënda të ngjanë
Ish e madhe historia
Në këtë shtëpinë tënë
Në kohën e Italisë
U nda motra me vëllanë[138]
Dyzet vjet e s’jemi pjekë [139]
Edhe s’kanë për të ardhë[140]
Kështu e ka kijo jetë
Dallgë dallg’ e valë valë
I mjeri un’ që i kam heqë[141]
I vetëm, pa njeri pranë.



Marrë nga fletorja e shënimeve e Manol Mërkurit




[1] Të përzunë-këtu,të përcollën       
[2] Kadimia-këtu,froni mbretëror.Këtu përdoret  emërtimi ‘’krajl’’ në vënd të ‘’mbreti’’ por edhe sot pleqtë e bregut kur flasin për mbretërit europianë u thonë ‘’krajli’’ psh frëng ose ‘’jerman’’
[3] U ngre në gjunjë-Sa lëvizi pak nga froni ku qe ulur jo se u çua në këmbë
[4] Shtatë vulat – jo se kanë të bëjnë me numërin e pjesëmarrësve që firmosin marrveshjen,por është numër që ka hyrë në folklorin tonë si psh ;Shtatë malë,shtatë fusha etj etj.Rapsodi nuk e di se ç’shkresa a vendime duhet të mirren për njohjen e shtetit,por gjithsesi duke qënë se  çdo letër a shkresë zyrtre është e vulosur,ai këto i quan shkurt ‘’vula’’,pra vendime të firmosura e vulosura.
[5] Krajli-Këtu ka kuptimin e shteteve dhe mbretërive të ndryshme europiane dhe ballkanike.
[6] Këtu autori në emër të popullit i drejtohet sulltanit që s’mori leje kur erdhi në Shqipëri ,ndajë të ngrihet e të ikij pa shumë fjalë
[7] Stefan Prifti në atë kohë kryeplak i Pilurit u ftua nga mbreti Zog në dasmën e tij
[8] Me që s’dinte të ngrinte këngë të cilën donte ta këndonte në dasmën e mbretit, iu lut Kostës t’i  përgatiste një.

[9] Folën me sira, këtu folën me rradhë dhe rregull
[10] Pilua, është fjala për Pilo Kokë Kasnecin, ish major  me shkollë ushtarake i mbretërisë së Napolit. Braktis  ushtrinë napolitane në vitin 1550 dhe kthehet në Bregedet, ku bëhet një nga udhëheqësit popullorë të qëndresës antiosmane, duke bashkëpunuar me  kapedanë të ndryshëm arbëreshë dhe arvanitas.
[11] Rridhte nga fisi aristokrat i Topiajve, një pjesë e të cilëve, pas epopesë Skënderbejane u vendosën në Bregdet
[12] Llambro Çipa na shfaqet shpesh në krijimtarinë popullore si autor i shumë këngëve të spikatura historike. Por ne  mendojmë se për shumë këngë, të botuara dhe në përmbledhjet e mia  me krijimtari popullore dhe që mbajnë autorësinë e tij, dhe sidomos ato që kanë temë të thellë historike, duhet të ndalemi dhe të mendojmë se ky personalitet popullor,më shumë se krijues i mirfilltë i tyre ka qënë mbartësi i këtyre këngëve nga një brez në tjetrin, vetëkuptohet, duke lënë dhe gjurmët e tij nëpër këngë. Ky është një fenomen i njohur në krijimtarinë popullore dhe këtë mision e kryejnë  vetëm ata njerëz që  kanë një shpirt krijuesi dhe ndërgjegje të lartë  kombëtare, cilësi të cilat Llambro Çipa i gëzonte. Sidoqoftë ky është një konkluzion i imi individual dhe  që më lindi ndërsa lexoja  vjershën ’’Kostë Miri, derëziu ‘’, e cila është  krijim  himarjot, por që në një botim e ka dhënë Llambro Çipa, duke specifikuar se e ka marrë nga  Kostë Dhimojani, i datlindjes 1846 dhe ai, Llambrua, e ka kënduar në Himarë në vitin 1947. Kënga thotë ;-Kostë Miri, derëziu/ç’të qan fusha e Vërriu/Kostë Miri kakomiri/ç’u ngule te manastiri/Kostë Miri, o pa mëmë/ç’e le shkretë dhenë tënë/Kostë Miri, o bonjak/jeshe delfinë në varkë/Kostë Miri seç të thonë/mbushur nerënxa, limonë/Kostë Miri, burrë me pallë/për ne do jesësh i gjallë/Kostë Miri, zemërtrimi/të qan vasha te burimi/Kostë Miri kambribardhë/nuk të vate fati mbarë/Kostë Miri, o kalanderë/ç’e shkretove atë derë/Më nuk jesënë të tjerë. Për lexuesin sqarojmë se Kostë Miri qe një luftëtar i shquar në tokë e det dhe punëtor i palodhur. Pas kthimit nga Napoli, fatkeqësisht brenda tre vjetëve i vdiqën djemtë, vajzat dhe gruaja duke mbetur vetëm. Për këtë arsye u dorëzua murg në pleqëri, duke i kaluar manastirit pasuri të tija të shumta. Llambro Çipa nuk pretendon autorësinë e kësaj perle popullore, por jep dhe burimin. Mendojme se e njejta llogjikë duhet përdorur edhe për shumë krijime të tjera me temë historike, që mbajnë autorësinë e këtij rapsodi, pavarësisht se ky fakt nuk është specifikuar.
[13] Fermani i lëshuar nga Sulltan Bajaziti II në  1492, për venomet (të drejtat vetqeverisëse) të Himarës. Fermani qe derdhur në bakër dhe përmbante gjashtë pika. Ruhej në katakombet e kishës së Mitropolisë. S’dihet fati i saj. Për këtë citojmë këngën  himarjote :-Në qish të Mitropolisë/Vartur pllaka e lirisë/Në bakër bukur ujdisë/Me ferman të osmanllisë.
[14] Këtu qenë zënë në grackë, në kurth
[15] Që e vutë, këtu që vutë inatin, që nisët luftën me pashanë
[16] Në vitin 1913, në kuadër të mbështetjes së Qeverisë së Vlorës, në Pilur u bë një betejë ku u vranë në përpjekje me njeri - tjetrin disa djem nga Piluri dhe nga Kuçi. Dy vjet më  vonë, në Shëndëlli, toponim në Pilur në kufi me fshatin Kuç, në vendin e quajtur ‘’Qafa e Kishës’’ u mblodhën (mbëluadh në tekst) përfaqësuesit e të dy fshatrave dhe realizuan pajtimin.
[17] Në  kohën e kësaj beteje ka dalë edhe kënga që thotë: Erdhi lajmi nga Himara/Doli Spiro Milo Mara/... i erdhi radha/Nuk vështron kë ka përpara/
[18] Vini re tolerancën fetare të popullit.
Është botuar edhe te libri im ‘’Madhëria e ......’
[19] Japinë-këtu, shtati, gjatësia e trupit.
[20] Vathinë-nëna e vajzës që pranoi këtë martesë të  papërshtatëshme edhe nga paraqitja fizike e çiftit, që stononte që me të parë. Burri qe shtatshkurtër, ndaj i thotë se do të humbasë brinjave, por ti do ta gjesh me fërshëllimë.

[21] Lalëpogë është një lagje e Pilurit në një vend jo shumë të preferuar.

[22] Kolë Koka kishte shumë fiq dhe një fqinjë e tij, Qerana, gjithnjë i fliste me dashamirësi në stinën e fiqve. Pas muhabetit, mbushte shportën me fiqtë e Kolës dhe ua çonte fëmijëve. Muajt e tjerë s’ja varte fare, madje as që i fliste edhe kur takoheshin rastësisht në kryqëzim të rrugëve (në kriq të rugëve).

[23] Refren, përsëritet pas çdo vargu

[24] Jam goditurë në ballë, më ka rënë në kokë
[25] Divane-këtu, veranda
[26] Përkundër pasionit të verbër të rinisë, vjen kjo këshillë dashamirëse e përvojës jetësore.

[27] Kolë Mërkuri atdhetar demokrat pilurjot, bashkëthemelues i shoqërisë Bashkimi bashkë me Avni Rustemin, mik i Halim Xhelos. Kur Halim Xhelon e ndiqte Zogu për ta kapur, kërkoi ndihmën e Kolë Mërkurit  për ta nxjerrë jashtë vendit. Ky  e veshi Halimin si bari dhe e stërviti si kujdestar të qenve të stanit duke kryer edhe shtegëtimin e parakohshëm të bagëtive. Për hollësira  shih romanin  ‘’Halimi’’ të P.Markos. Por ajo që nuk thuhet në roman është fakti se për të kaluar në postën e xhandarmërisë në Borsh, Kola i fshehu armët, naliherët e koburet nën barkun e deshve, të cilët ishin të paqethur, duke imituar kështu Odisenë te ciklopi.
Sqarojmë se Halim Xhelo Tërbaçi s’ka asnjë lidhje me një tjetër Halim Xhelo nga Kallarati, për të cilin këndohet: Halim Xhelo Kallarati/Mos shko poshtë nga Dukati/Se do të vrasë Murati/Se s’i ka dalë inati/E ka porosi nga i jati/Halimi që ri në Çikë/Bën dufek dita me ditë.

[28] E koi- e ushqeu, këtu, e mbajti si bari të stanit të tij për ta përcjellë gjer në kufi.
Kolë Mërkurin, rapsodi Kozma Mërkuri, vëllai i tij e portretizon me vargjet e mëposhtëme: Kola inë e Gjikë Tava/Gjithë rripa gjithë zava /Na ertin nga kasabaja/U pataks gjithë dynjaja... ndërsa për  bagëtitë e shumta që ai kishte shkruan ;-Delvinë, foli tellalli/Të mbëlidhetë pazari/Shkon kopeja e tundet mali.
Pasuria e shumtë që kishte ishte edhe një faktor që ndikoi  që ai, Kola, të financonte udhëtimin e Avni Rustemit në Paris në 1920, për atentatin e tij ndaj Esat Pashës. Jo vetëm kaq, por  ka burime (L.Çipa) që dëshmojnë se ai vetë (Kolë Mërkuri) dhe Nase Beni nga Vunoi, ishin dy shoqëruesit konspirativë të Avniut në Paris.

[29] Këtu-më erdhi dita të këndoj. Nuk e ka fjalën për radhën e të kënduarit po për ditë të gëzuar siç është dita e dasmës. Pra, ia arrita kësaj dite të lumtur ndaj do këndoj.
[30] Zogëlara-Zogëza laramane-këtu e ka fjalën për veshjen plot ngjyra të nuseve të reja  si zogëza.
[31] Rëpara-Përpara, më parë
[32] Andre Mara-Për Andre Çipa. Vetkuptohet që këngëtari është i afërm i tij, përderisa i drejtohet me emrin Mara (për efekte rime dhe elegance vargu) në vend të mbiemrit.

[33] Ka ngelur në gojdhëna historia e dashit të Pilurit, sa që kur duan të na ngacmojnë na e përmëndim. Më shumë mundim dhe përpjekje, me ndihmën e F.Mërkurit gjetëm një variant të kësaj kënge të cilën e dhamë më sipër. Thuhet se historia ka ndodhur në Korfuz. Një familje pilurjote kishte emigruar dhe punonte te një  fshatar i Korfuzit, por ai nuk po e paguante për punën që bënte. Plaka  e familjes pilurjote kujdesej edhe për dashin e  familjes greke, duke i dhënë kripë me dorën e saj, duke krijuar njohje në këtë mënyrë. Kur pa që s’po paguhej, i biri i plakës pilurjote rrëmbeu dashin, por e panë të zotët e dashit dhe disa policë grekë që u ndodhën aty rastësisht dhe filluan ta ndiqnin. Djali hyn në shtëpi, ia jep dashin së ëmës, e cila duke e përkëdhelur e vë në djep, e mbulon me rroba dhe fillon të tundë djepin e të këndojë shqip këngën e mësipërme. Hyjnë grekët e kërkojnë dashin, por familja e mohon të ketë vjedhur gjë. Grekët skandalizohen se e panë vetë që hyri dashi në shtëpi, por dash s’po shihnin gjëkundi. Plaka betohej me fjalët: Hëngërsha më kockat  e këtij që kam në djep në ju gënjej, duke aluduar që në djep qe një fëmijë dhe ajo i këndonte ninullat për ta vënë më gjumë. Të lodhur nga kërkimet në atë copë kasolle, ku s’mund të fshihje as një gjilpërë e jo më një dash, grekët i thonë djalit; Na trego ku e fshehe që ta mësojmë dhe ne këtë marifet. Të qoftë i falur dashi, na dhe hakën e punës që ke bërë kaqë kohë. Atëherë plaka zbulon djepin dhe u tregon dashin.
Në një variant tjetër nuk është dash, por është një qingj.

[34] Në 8 Mars festohej dita e gruas dhe Nasho Lapa  merrej me pjekjen e mishit për dreken që do shtrohej me këtë rast.Kjo nuk i pëlqeu rapsodit dhe e ironizon sikur shkon për të marrë të brendëshmet e bagëtive(paçatë).

[35] Vatanin- malin,kullotën.

[36] Do lanetis-do ta bëj lanet,do ta dërgoj në djall,do ta mallëkoj.
[37] Këtu-mërzinë, ankthin,tensionin shpirtëror

[38]Skutarai- mal në Pilur ku u vendos fronti (në tekst-fron) gjatë luftës Italo-Greke.
Gjatë kësaj lufte edhe vajza e rapsodit bashkë me dy fëmijet e saj dhe një të kunatës mbeti në dëborë  në male të Pilurit dhe u gjënd trupi  vetëm  pasi erdhi pranvera.Ndaj s’mund të këndojë rapsodi
[39] S’ka me se t’i ushqeje ( në tekst- kon,do të thotë ushqen fëmijët e vegjël)

[40] Ka kuptimin mungove tetë ditë.Ironizon sikur doli komite malit të luftojë.
[41] Kalinë Çipja nga Piluri u vra nga gjermanët ndërsa u çonte  ushqime e rroba partizanëve.Pavarësisht nga  kjo,akti i saj nuk u vlerësua dhe ajo vetë nuk u shpall dëshmore e Atdheut.
[42] Fshati Pilur ,ndonëse me një pjesëmarrje masive në Luftën Nac.Çl., ku vetëm në një ditë dolën partizanë  47 djem e vajza, veçë të tjerëve  më vonë,vlerësimi i kontributit të tij ishte shumë i kursyer nga regjimi.Vetëm tre dëshmorë ju njohën  fshatit,të rënë gjatë Luftës dhe një tjetër u vlerësua pas vdekjes së tij nga plagët e luftës,në vitin e parë të çlirimit.Mirëpo erdhi një kohë që  fshatrat ‘’vlerësoheshin’’ edhe nga numëri i dëshmorëve,dhe në raport me fshatrat e tjerë të Bregut të Detit e të Labërisë,Piluri paraqitej shumë ‘’modest’’.Në një situatë të tillë vlerësimi u ndodh një pilurjot ,ku filluan të mburreshin kuçiotë,bolenas,vunotas etj etj se ‘’ kishin shumë dëshmorë nga fshati’’dhe njëri, për të ngacmuar pilurjotin e pranishëm i thotë;-Po ju të Pilurit ç’na thoni,sa dëshmorë kini,-se medemek, ai nuk e mbante dot mend ‘’ numrin e madh të dëshmorëve të këtij fshati’’.
-Ne shkuam në luftë që të vrasim  hasmin e jo që të vritemi për vete-iu përgjegj pilurjoti qetë qetë.

[43] Paraponi-këtu,me mërzi,me inat
Këngë e kënduar në valle nga vetë autori

[44]Kuterinë-grua e vetmuarë me burrë në kurbet
[45] Xathurë,këtu zbathur,pa këpucë
[46] Veremosur- të sëmurë nga TBC
[47] Malit Llogara  për të shkuar në Vlorë te mjeku

[48] Male në Pilur
[49] Vanova-Fusha e Pilurit.Emri Vanovë është emër sllav dhe i është vënë  kësaj fushe  në kohën e dyndjeve sllave të Carr Dushanit.Nuk dihet emri i mëparshëm i saj.Emri përbëhet nga bashkimi i fjalëve Van dhe Nova.Van do të thotë Jashtë ose ‘’jo brenda’’.Psh Van grada-jashtë qytetit,Van sella-jashtë fshatit,Van dërzhavo-jashtë shtetit,Izaxhi van-dil jashtë etj. Nova do të thotë ‘’ i ri, e re’’,psh Novi Pazar- Pazari i ri etj.Pra kuptimi i emrit  mund të miret edhe ‘’Jashtë  është diçka e re’’.Kjo mund të ketë kuptim, nqse gjykojmë se sllavët kanë ardhur natën  në fushën e Vanovës, pasi kanë kaluar malet e Labërisë,kanë fjetur nëpër kasolle dhe të nesërmen në mëngjes, kur kanë dalur te porta, kanë soditur fushën dhe detin më tejë dhe kanë thenë që ‘’Jashtë (është diçka) e re’’ në krahasim me malet që kanë përshkruar për të ardhur këtu. Por emri mund të interpretohet edhe ndryshe.Fjala Van që do të thotë ‘’jashtë’’ dhe fjala ‘’Ova’’ që do të thotë ‘’kjo’’ .Pra emri përkthehet ‘’Kjo (fusha ) jashtë (kasolles,çadrës).Edhe interpretim i tjetër që barazon kuptimin e fjalës Van(Jashtë) me ‘’Jo brënda’’ dmth Vanovë = Jashtë (jo brenda) të  resë,që në shqip mund të thuhet thjeshtë ‘’e vjetër’’ ka kuptim për arsye se, të quhet Vanova fusha e vjetër  ose vëndi i vjetër është e pranueshme, pasi në disa vënde të Vanovës janë gjetur tubacione qeramike të ujësjellësit romak si dhe disa objekte mermeri si tavolina apo sargofagë.Në krah të saj është vëndi i quajtur Buna (Bue-na) ku ka rënoja  ndërtesash tip kala, ndërtesa fisnikësh apo aristokratësh.
Të gjitha këto dëshmojnë  për hershmëri banimi dhe justifikojnë  përcaktimin si ‘’fushë apo vënd banim i vjetër’’.
Gjithsesi,këto interpretime dhe fjalën e fundit,le tua lëmë specialistëve përkatës.

[50] Rina Mërkuri
[51] Këtu të derdhte sheshit floririn e paranë,ta bënte soro, grumbull. Kaqë portofol të madh e të mbushur me flori paskësh dhe  e mbajtëkish me vete.Duhet kuptuar fjala e saj si marifet për të mos dhënë hua,pra skam burrin në shtëpi dhe i ka ai paratë me vete.Unë jam grua e s’mbaj para.

[52] Bejkush dhe Xhevdet Gjoleka

[53] Ky ishte një fatkeq që kishte lindur i verbër.Për etikë shënojmë vetëm inicialet.Ironizimi dhe humori ka kuptimin që mos u poshtëro kaq shumë sa të shkosh me një të verbër.Nuk dihet në se rapsodi  iu drejtua ndonjë femre konkrete apo ngriti këngë me humor të hidhur për ç’ka ndodhi në Shqipëri pas viteve 90.

[54] Lapidarët,këtu përkujtimoret e ngritur për të  mbyturit e të vrarët.

[55] Do bëhej festa e 28 Nëntorit në Ramicë  dhe duheshin flamuj të kuq,por Italia fashiste e kishte bllokuar shitjen e copës së kuqe( rrobë gjaku)Ajo mund të shitej vetëm me një shënim nga kryeplaku dhe në sasi të kufizuar.Naço Boçit i kërkojnë ndihmë partizanët nëpërmjet një mikut të tij nga Kuçi (gjitoni)Ky merr shënim nga kryeplaku i Pilurit Ll.Çipa,mbështetës i LNÇ dhe e blen copën te M.Rexho në Himarë  dhe e qep te K.Çekefi.
Vëreni që rapsodi nuk harron asnjë person, pavarësisht si u rrodhi jeta më pas.          

[56] Komiti-Kometa Hallej e cila kaloi në vitin 1910

[57] Jonanë-jonat,tonat,neve
[58] Djelmuria-këtu, rinia, djemtë e rinj
[59] Favian-Në burgun fortesë të Favianit në Itali u burgosën 17 djem të rinj nga Piluri
[60] Jorgo Mërkuri, vëllai i Milo Mërkurit,  vdiq në burgun e Favianit

[61] Çepezi- tip zeshkani
[62] Hajdut-këtu, komit
[63] Metelinë-është fjala për gjeneralin italian Enriko Telini vrarë më 27 Gusht 1923 në vendin e quajtur Zhepë,në territorin grek, pranë Kakavisë.Ndryshimi i emrit nga Telini në Metelini mendojme se vjen nga kënga popullore e luftës së 1920, ku gjeneral Telini komandonte forcat pushtuese Italiane.Kënga thotë:-Telatë po ven e vinë/Po flet Kota meKaninë/Flet Guxoni me Telinë...
Pikërisht bashkimi i pjesëzës ‘’me’’  me emrin Telini jep emrin e riformuar ‘’meTelinë’’ Metelinë.
[64] Në kohën e vrasjes, Gjeneral Telini ishte Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të kufijve në Shqipërinë e jugut dhe kishte manifestuar ndjenja proshqiptare,pavarësisht se dikur ishte pushtues.Në dt 28 Gusht Benito Musolini i drejtoi notën ultimative Greqisë, ku pika 6 e kësaj note kërkonte pagimin e një dëmshpërblimi prej 50 milion  lireta
[65] meleunë=milionë
[66] Katomirë=ekatomirja=milionë greqisht) dhe për ta përforcuar këtë notë  bormbadoi(****)  Korfuzin,ku u dëmtua një shkollë, si dhe e pushtoi në dt 30 Gusht 1923.
Në konflikt ndërhyn Anglia (Në radio foli Anglia).Shprehja ‘’sa do japë Italia ‘’ do të thotë ‘’sa kërkon  si dëmshpërblim Italia për vrasjen e Gjeneral Telinit’’ që të tërhiqet nga Korfuzi.
Ndërkohë populli i Vlorës në dt 3 Shtator1923, në vend që të festonte 3 vjetorin e çlirimit nga Italia,ju drejtua konsullatës Italiane në formë kortezhi të përmortshëm  duke i shprehur ngushëllimet e rastit përfaqsuesit Italian,duke  habitur  kështu mbarë Europën,shtypi i të cilës e përmëndi këtë fakt.Në kishat ortodokse e katolike të Shqipërisë u dha meshë për të vrarët .
Roli i Milo Mërkurit në këtë histori  është i përgojuar, por i pa vërtetuar.

[67] Ormisnë – këtu : përgatitën
[68] Gjeminë-anijen
[69] Strakënanë-Emër vendi
[70] Panë zjarrë-panë zjarret që kishin ndezur barinjtë e sipërshënuar
[71] Kristo e Serjani-Emrat e barinjve.Fakti që një emër është  kristian e tjetri mysliman duke qënë të një fisi a ndoshta vëllezër,na tregon vjetërsinë e këngës,pikërsiht fillimin e myslimanizimit të Labërisë, konkretisht të Dukatit,për të cilën bën fjalë kënga.Ndoshta atëherë kur u ngrit kënga;-Dukati gjysm e Misirit/Na vjen prifti i manastirit/Dhe i drejtohet vezirit….
[72] Kuaca-ftuja
[73] Rethosnë te harca-rrethuan te shkuret
[74] Mjaltëca- këtu; ato që prodhojnë mjaltë,bletë.
Në këtë këngë hymnizohet trimëria e treguar nëpërmjet vjedhjes,a marjes së hakut për një vjedhje të bërë dikur nga dukatasit te pilurjotët.Ishte në traditë që  po të mos ishe i zoti në vjedhje,s’të jipnin nuse,sepse s’do ishte i zoti të mbaje familjen.Prandaj vjehri e provonte dhëndërin  duke i ngarkuar detyrë te tregonte trimërinë duke vjedhur një dele a një dash  te një bari trim i zonës,dhe t’ja sillte prenë e vjedhur  atij.Për tu siguruar që vjedhja do bëhej pikërisht aty ku u porosit,i vinte nga pas dhëndërit një njeri të besuar.
Në zona të tjera përdoreshin të tjera prova,psh në Çamëri kandidatit për dhëndër i duhej të hapte ndonjë sipërfaqe tokë të re në mal për llogari të vjehrit të ardhshëm.Ka dhe një ngjarje për këtë  zakon,të cilën ma ka treguar miku im B.M.;-Shkon një djalë i quajtur Hajri (që shkurtimisht me përkëdheli i thoshnin Rrura  ) nga fisi i Din Lelesë dhe kërkon vajzën  e quajtur Shabane te babai i saj.Ky i thotë që të hapë një copë tokë në mal për ta provuar sa i zoti qe në punë,por, sa të mbaronte  hapjen e tokës ky,vajza u rrëmbye me një djalë nga fshati Lopës Atëherë doli kënga;-Rrura i Din Lelesë/Hape gjysmën e pllajesë/Për hatër të Shabanesë/ Shabanen s’e more dot/Se ta morën lopësjotë/Sepse ishin më të zotë.
Kjo ngjarje u bë sebep që shumë djem të refuzonin kërkesën për punë që u shtrohej si kusht për martesë nga prindërit e vajzave me argumentin se :- Kërkojmë  nuse e jo punë.


[75] Meqenë se nisëm të flasim për vjedhje,le ta këndojme dhe këtë këngë për një vjedhje të bërë nga pilurjotët në fshatin Kuç, ku u vodh gjithë kopeja prej treqint kokë.Këtu mësojmë edhe marifetin se vjedhja u bë duke u hequr këmborët  e zilet(buqet) bagëtive,  që të mos bëhej zhurmë e të mos diktoheshin.
Por ama, te vargu i fundit, ndërsa  thotë ‘’turp’’ për të zotët e allit,dallohet këtu një dhimbje shpirtërore për dëmin e madh që ju bë  atyre, sepse nuk u vodh një dash a një dele,por një kope e tërë, duke e lënë pa mjete jetese një familje a një fis të tërë.
Nuk e dimë shkakun që provokoi vjedhjen e mësipërme dhe as si  vijoi puna më tej për këtë vjedhje.Por ajo që dallohet nëpër vargje është fakti se autorët e këngës, që normalisht duhet të jenë dhe autorët e vjedhjes, nuk e cilësojnë si një trimëri të tyre,nuk e cilësojnë si një triumf,por duket sikur janë duke lozur ‘’kukafshehti’’ me të dëmtuarit,dhe u tërheqin vërejtjen atyre për  mosvëmëndje në ruajtje të bagëtive.

[76] Të ma rrethosh varin me drizë-që të mos më shkelin mbi të bagëtia.Rregullimi i varreve me varoshe ka dalë tani vonë.  

[77] Kastanë-emër vendi
[78] U hap grika e qesesë-U pagua më tepër seç duhej..

[79] Buna-Toponim vendi në Pilur
[80] Ç’panë-çfarë patën  me ta
[81] Manol Mërkuri dhe Mërkur Mërkuri
[82] Zonja-këtu, Shqipëria
[83] Tavajt-fis në Pilur,sot quhen Muçaj
[84] Kish dy vija mbi spaleta, graduant ushtrie
[85] Mos e qesh-këtu,mos e tall,mos e ironizo
[86] Jam për të ikë nga kjo botë, do vdes
[87] Lera-ujëmbledhë
[88] Më pyeti qysh e kalove ditën, gjer sa u errësua, si u ngryse
[89] Me rroba pazari-këtu,me veshje qyteti
[90] Këpucë Derviçani - këpucë greke,të jashtëme,jo opinga fshati
[91] Do më marë nizami-këtu,do shkoj ushtar
[92] Gjithsesi,vajza e dinte shumë mirë kur do ikte ushtar djali
Vajtja ushtar,ishte edhe një tregues indirekt se djali qe ritur dhe pas kryerjes së shërbimit ushtarak ishte një kandidat i mundshëm për dhëndër
[93] Kuja,gjëma,vajtimi më gjëmë e me ligje
[94] Këtu - u ra më qafë me bukurinë e saj
[95] Për etikë heqim gjysëm vargu
[96] Dogra-dyfek,armë
[97] Sorqedhë-kaproj mali, nga sorkadhe
[98] E quan ortak sepse edhe Stefan Koka(Fane) ishte rapsod,mandje shumë i suksesshëm
[99] Dhjaku-titull fetar  në ortodoksi.Me sa duket Stefan Koka kishte shoqëri shumë me këtë Dhimën që paskësh qënë dhjak në kishë dhe nuk dilte shpesh te rrapi me burrat e tjerë.Ndaj i thotë që ka lezet kur del në rrap,medemek del e zbukuron vendin e kuvendin,varg ky i rezervuar përgjithësisht për vargjet kushtuar vajzave të dashuruara.
Për hir të së vërtetës duhet të themi se Stefan Koka ju përgjigj me bejten  e mëposhtëme;-Moj kopeja në Gjokute/Nga treqint, njëqint këpute/Se çobani lot me nuse,.duke e ngacmuar se pas martesës së dytë të Mërkurit nuk i ecte mbarrë puna në tufë(Nga treqint, njëqint këpute,dmth në treqint dele mori vetëm njëqint qingja),se në vënd që ta kishte mëndjen te puna,e paskësh te nusja e re me të cilën lozte tërë ditën
[100]Është fjala për fshatin Nivic Bubar, pranë Sarandës,në pronësi të të cilit ka qënë tradicionalisht vendi i quajtur Kakome, në breg të detit.Të dy qeveritë,e majta dhe e djathta,në periudha të ndryshme në vitet 2000, u konfliktuan me banorët e fshatit për pronësinë e vendit.Fshatarët  i mbështeti fuqishëm Kryetari aktual i Komunës Lukovë,Vladimir Kumiu
[101]Kjo të kujton edhe këngën himarjote të 1924:-Gushtovjeshta më të dalë/Të dielë më saba/Himara doli të vilë/Qeveria nuk i la/Qeveri se bëre mirë/Që zure dufek me gra,edhe për faktin se konflikti është përafërsisht i njëjtë.Në 24 kërkoheshin tatimet,tani kërkohet prona
[102] Sokrat Leka nga Qeparoi
[103] Konom Anastas Zoto ishte zv.episkop i Himarës në atë kohë
[104] Kapedan nga Kudhësi
[105] Tole Gjidede nga Iliasi
[106] Odhise Nikollori nga Iliasi
[107] Vdekjet qenë të njëpasnjëshme, më saktë Zaho Lapës i ra infrakt në mortin e Qëndro Muços
[108] Këtë këngë të dhënur nga G. Kolagji  e kanë kënduar një grup fëmijësh nga Piluri ndërsa ktheheshin për në fshat nga Himara ,ku kishin filluar shkollën ‘’unike’ siç quhej atëherë shkolla 7 vjeçare.Kushtet e vështira ekonomike,i detyronte që shpesh herë ta bënin rrugën Pilur-Himarë-Pilur edhe pa  ngrënë fare bukë.Po kështu nuk mund të vazhdohej gjithnjë.Trupi i tyre në rritje kërkonte ushqim dhe sidomos në këtë rrugë të vështirë malore.Por familjet pilurjote përgjithësisht  rronin në një varfëri të tejskajshme,varfëri të cilën e shihnin edhe fëmijët arsimdashës.Kështu që fëmijët morën vendimin ta linin shkollën.Atë ditë, tejet të dëshpëruar, ndërsa morën rrugën e kthimit për në Pilur, në një vënd u ulën të çlodheshin dhe aty me optimizmin që u diktonte mosha,hodhën valle të kënduar me këtë këngë.Kjo këngë s’ka një autor të vetëm,pasi vargjet i krijonin nga një secili fëmijë dhe shpesh edhe dy fëmijë krijonin e redaktonin një varg. Vetëkuptohet në valle.Fjala “mo’ na therr” lidhet me faktin se pas votimeve të 2 Dhjetorit 1945, ku Himara votoi kundër,reprezalia mbi të s’qe e vogël.Nga kjo nuk shpëtoi as Piluri,pavarësisht  nga votat e pilurjotëve.Më e pakta, qe privimi i djemve e vajzave të fshatit nga arsimimi. Dashurinë e  pilurjotëve për arsim e kulturë e dëshmon edhe  një këngë ë ngritur në këto vite për mësuesit e shkollës fillore në Pilur që thotë;-Koço Lami Qeparoi/Dhe Harilla nga Vunoi/Djemt’ e Pilure ç’i zgjoi/ Në unike i dërgoi...Është një rast unik që për mësuesit e shkollës fillore të ngrihej këngë e të këndohej nëpër festa,siç është rasti i kësaj kënge.Ndërsa për arsimimin e djemve e vajzave të Pilurit në vijim,mund tju them se janë me dhjetra specialistët në fusha të ndryshme të diplomuar brenda e jashtë vendit
[109] Paranike-këtu,një copë e bukës së misrit e cila gatuhej në shtëpira dhe piqej e mbuluar me një saç sipër të cilit hidhej hi e prush.Një tip kulaçi i misërt
[110] Vate - këtu,iku,u largua.Pra,”iku” shkolla e ne se aritëm dot
[111] Gërqinë, këtu Greqinë. Përgjithësisht në  të folmen e Pilurit haset shpesh  ky shtrëmbërim i emrit  të Greqisë dhe shteteve të tjera psh Gjermanisë i thuhet Jermania etj
[112] Këtu - bareshë
[113] Për etikë nuk po e identifikojmë subjektin
[114] Këtu duhet kuptuar ‘’bashkëfshatarët’’
[115] Persofoni Mërkuri,bashkëshortja e autorit
[116] Pesëmet- Pesëmbëdhjetë vjeçe
[117] Dardhë-Toponim në malet mbi Sarandë
[118] Është hera e parë që has personifikimin e bukurisë femërore  me një yll.Zakonisht me yll personifikohen  djemtë e burrat.Por megjithatë, figura qëndron bukur
[119] Që im atë ishte tip nevriku,këtë e dinte gjysma e Sarandës,por që do ta pranonte sinqerisht vetë në një vajtim,kjo më shtyu të reflektoj mbi sinqeritetin e vajtimit në tërësi . Këtë ide e kam trajtuar dhe në disa shkrime të miat si te ‘’Shënjtëria e iso-s’’ dhe te ‘’Vesa mbi këngë’’
[120] Porosi për tu ruajtur edhe nga një hasmëri e krijuar në vitet 1940
[121] Këtu bashkëshortja e autorit, Persofoni
[122] Fëmija më i vogël ishte vetëm 8  muajsh
[123] Vij shpesh në varreza te varri yt
[124] Fotografia në porcelan te varri
[125] Këtu,ike pa u takuar me mua
[126] Njëzetë e tre vjet
[127] Persua-Persefoni,bashkëshortia,Vanthia e ëma e Manol Mërkurit
[128] Ndodhen në një varr familjar dhe fotografia e të birit ndodhet në mes
[129] 1984
[130] Le të bëjmë një çikë humor me veten
[131] Për etikë qytetare nuk e kemi shënuar emrin dhe lutemi që lexuesi të mos bëjë aluzione mbi persona konkretë.Shikojeni këtë si një krijim letrar në një moment qëndrimi në spital
[132] Qe bërë ferë,këtu qe shkretuar vëndi për një doktor,nuk gjëje doktor  gjëkundi në spitale.Në fakt Gjirokastra kishte okulist,por në atë periudhë ishte me leje a diçka tjetër
[133] Këtu,mbeti i mbyllur në spitalin e Tepelenës si Ali Pasha në kala,ku dilte vetëm në bedena
[134] Vladimir Bilbili, siç duket ishte okulisti që e mjekoi dhe e shëroi
[135] Rruga Sarandë-Gjirokastër kalonte nga Delvina.Në afërsi të Stjarit shihen disa shpate të Palavlisë
[136] Përseritet pas çdo vargu
[137] Të iku - këtu, të vdiqën gruaja dhe djali
[138] Në vitin 1940,për shkak të një hasmërie,vëllai Lefter ikën në Greqi,motra Polite martohet në Kosovë,babai dhe nëna internohen në Itali.Italianët i sekuestrojnë shtëpinë, 600 krerë bagëti të imta veç kafshëve të ngarkesës dhe prodhimeve blegtorale
[139] S’jemi pjekë,këtu,s’jemi takuar.Është krijim i viteve tetëdhjetë ndaj thotë dyzetë vjet
[140] S’kanë për të ardhë,parashikimi doli i gabuar sepse në vitin 1988 vajti në Greqi, ku u takua me vëllanë dhe një vit më vonë shkoi në Kosovë ku takoi motrën. Motra i bëri dhe një vizitë në Sarandë
[141] I kam hequr, këtu i kam pësuar këto halle, i kam kaluar këto derte

No comments:

Post a Comment