Thursday 4 October 2012

Margaritari


Margaritari

 

Një dallgë u thye mbi shkëmbinj,
por ti s’u çfaqe mes stërkalash.

S’më mbeti gjë. Veç emri yt në zemër
si margaritari brenda një guacke.
               . . .
Në qytetin tim
                              mos e kërkoni.

Dashuria vjen e të gjen vetë.

Të vjen si valë
                               e si valë të shket.

 Vajzat e qytetit tim

Sa shumë vajza
o, sa shumë vajza të bukura ka në qytetin tim
që në hështje kuvendojnë me vetminë.

Kush vallë ua ka vrarë dashurinë?

Kënga e një nate vere

…dashuria është  vdekja ime…
dëgjova mbrëmë të këndonte një vajzë.

Sot u gjend e vetëvarur në litar.


Nisje emigranti.

U nisa. E vendlindja ime,
duke tundur shaminë e bardhë të mjegullës
më thotë udhë e mbarë.

Po pse u nxi shamia e bardhë e reve mbi kodrat e qytetit?
Cili orakull foli?
Çfarë gjëme paratha?

Hëna e gushtit

Ah kjo hën’ e gushtit! Ah kjo hënë
që më la pa gjumë. Po më çmënd
kur vrapon mbi valë e ndjekur nga yjet
siç më ike ti, e ndjekur nga ëndrat.
Ah kjo hën’ e gushtit sa më trëmb !

Si vajzat me skafe, kur ikin me ngut
trëmbem se mos hëna bëhet prostitutë.

Vajza i punon në Milano

...dhe ai ndërtoi në qytet një shtëpi të re.
                                                  Të bukur.
Vetëm dritaret i ka pakëz të vogëla. Si sy
                                                    të ulur nga turpi.

No comments:

Post a Comment